
Tottenham Hotspur ka nisur kontaktet me ndërmjetës për të kuptuar situatën e sulmuesit brazilian të Real Madrid-it, Rodrygo, ndërsa klubi nga Londra e Veriut përgatitet për një merkato të rëndësishme në rast se ylli korean Son Heung-min largohet këtë verë.
Sipas “TBR Football”, 24-vjeçari shihet si zëvendësuesi ideal i Son, i cili po konsideron seriozisht një ofertë nga klubi i MLS, LAFC.LAFC ka rihapur negociatat për kapitenin e Tottenham-it, dhe Son, 32 vjeç, po e vlerëson me kujdes mundësinë për të nisur një kapitull të ri në SHBA. Nëse transferimi i tij realizohet, Spurs janë të gatshëm të thyejnë rekordin e tyre të transferimeve për të siguruar shërbimet e Rodrygo-s, i cili vlerësohet nga Real Madrid-i rreth 70 milionë paund.
Klubi anglez është gjithashtu i përgatitur t’i ofrojë brazilianit statusin e lojtarit më të paguar në skuadër, si pjesë e një projekti ambicioz për sezonin e ardhshëm, që përfshin garën në Champions League.Rodrygo, i cili sezonin e kaluar shënoi 14 gola dhe dha 11 asistime në 54 ndeshje me Real Madrid-in, ka luajtur kryesisht në krahun e djathtë, por preferon rolin në të majtë – një pozicion ku Tottenham mund t’i garantojë më shumë minuta dhe një rol qendror.
Me ardhjen e trajnerit të ri Xabi Alonso te Real Madrid-i dhe konkurrencën e lartë në repartin sulmues, pozicioni i Rodrygo-s si titullar është vënë në dyshim, çka e bën atë të hapur për një lëvizje, veçanërisht me synimin për të siguruar një vend në kombëtaren braziliane për Kupën e Botës 2026. Aktualisht, Rodrygo është me pushime pas angazhimeve në FIFA Club World Cup, por pritet të zhvillojë bisedime me Alonso-n në ditët e ardhshme për të sqaruar të ardhmen e tij në Santiago Bernabeu. Nga ana tjetër, Tottenham nuk është i vetmi klub që monitoron situatën.
Liverpool mund të hyjë në garë për sulmuesin, sidomos nëse largohen lojtarë si Darwin Nunez apo Harvey Elliott, duke krijuar hapësirë dhe fonde për një transferim. Ndërkohë, Bayern Munich, që po finalizon marrëveshjen për Luis Diaz nga Liverpool për 65 milionë paund plus bonuse, duket se ka hequr dorë nga pista Rodrygo.Tottenham është i vendosur për të bërë një goditje të madhe në merkato, dhe tani e ardhmja e Rodrygo-s varet nga vendimi i tij dhe qëndrimi i Real Madrid-it. Spurs presin me padurim zhvillimet e ardhshme, ndërsa përgatisin një ofertë tërheqëse për të sjellë talentin brazilian në Premier League.
Lini një Përgjigje