
Java e 11-të e Kategorisë Superiore u mbyll me emocione të forta dhe përmbysje spektakolare. Partizani regjistroi një fitore të madhe në Durrës ndaj Teutës, duke triumfuar 2-3 pas një ndeshjeje ku gjithçka ndodhi. Durrsakët e nisën më mirë takimin, duke mbyllur pjesën e parë me avantazh dhe duke pasur kontrollin e lojës.
Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë kur trajneri Kërnaja hodhi në fushë dy lojtarë të ekipit B, Kontreras dhe Kolën, që sollën përmbysjen. Kontreras shënoi dy herë në pak minuta, duke rikthyer shpresat për të kuqtë, ndërsa Teuta humbi një penallti me Zelën në momentin vendimtar. Më pas, pavarësisht se Kontreras u ndëshkua me të kuq, Partizani fitoi një penallti që u kthye në gol nga Toma, duke vulosur fitoren e madhe dhe tre pikë të vlefshme për moralin dhe renditjen.
Në sfidën tjetër, Elbasani arriti të mposhtë Egnatian me rezultatin minimal 1-0, një fitore që e ngjiti skuadrën verdheblu në krye të tabelës, krah Vllaznisë, me nga 23 pikë secila.
Pas ndeshjes, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, e pranoi se kartoni i kuq i Haimes ndryshoi rrjedhën e lojës. “Kartoni i kuq na prishi ekuilibrat, sepse e kishim përgatitur ndeshjen mirë. Pasi mbetëm me 10 lojtarë, u bë e vështirë të ruanim balancat. Tentuan të reagonim, por pa sukses”, deklaroi Tetova për “RTSH Sport”.
Kategoria Superiore po hyn në fazën më interesante të saj; rivaliteti në krye është i ashpër, ndërsa fitorja e Partizanit mund të jetë pikë kthese për kampionët në mbrojtje.
Lini një Përgjigje