
Medin Memeti është shpallur Lojtari i Muajit për janarin te Melburn Siti në Australi, pas një serie paraqitjesh bindëse me fanelën e klubit. Çmimi është dhënë pas votimit të tifozëve, të cilët e zgjodhën si më të mirin mes bashkëlojtarëve.
Sulmuesi 18-vjeçar ka regjistruar tre gola dhe një asist në tri ndeshjet e fundit, duke u shndërruar në një nga lojtarët më në formë të skuadrës. Performancat e tij e kanë vendosur Memetin në qendër të vëmendjes në kampionatin australian.
Forma e mirë e treguar në vitin 2026 ka zgjuar interes edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila, sipas burimeve, ka pasur kontakte lidhur me perspektivën e lojtarit.
Produkt i akademisë së Melburn Sitit, Memeti konsiderohet një talent me perspektivë dhe aktualisht përfaqëson ekipet zinxhirë të moshave të Australisë. Së fundmi, ai është shpallur i pafajshëm nga Federata lidhur me akuzat për racizëm të ngritura nga lojtari serb Xhastin Vidiç, çështje që tashmë konsiderohet e mbyllur.
Lini një Përgjigje