
Çelsi ka regjistruar fitoren e dytë në kampionat, ndërsa mposhti të hënën në mbrëmje Fulhamin, në përballjen e luajtur në transfertë. Blutë shënuan dy gola, me Mudryik dhe Brojën me këtë të fundit që më pas u largua nga fusha i dëmtuar.
Armando Broja është rikthyer te goli pas plot 359 ditësh, ndërsa ndeshjen e nisi si titullar. 22-vjeçari zhvilloi një ndeshje pozitive, ndërsa ishte ndër lojtarët më të vlerësuar në kampin e Poçetinos. Në minutën e 19 një top i cili nuk u largua siç duhet nga mbrojtësi Ream gjeti këmbën e Brojës dhe më pas u devijua në rrjetën e Fulhamit, ndërsa autorësinë e mori bomberi shqiptar. Në pjesën e dytë, sulmuesi u largua për t’i lënë vendin veteranit Stërling, ndërsa ecte duke çaluar, por gjithçka u konfirmua prej tij në fund të ndeshjes, nëse kemi të bëjmë me një dëmtim apo thjesht lodhje.
“Goli? Është diçka fantastike. Si sulmues, unë dua të shënoj gjithmonë, në skena të mëdha dhe në momente të mëdha. Një ndjenjë e pabesueshme të shënosh gol në një derbi. Ishte fantastike të merrnim tre pikët. Unë jam këtu për të luajtur për skuadrën, për të ndihmuar shokët dhe për të shënuar sa herë që të më jepet mundësia. Dëmtimi? Nuk ishte dëmtim, por lodhje dhe kërkova zëvendësim. Nuk i kam ende 90 minuta në këmbë”, tha Broja në përfundim të ndeshjes.
Lini një Përgjigje