
Përfundojnë dy supesfidat e mbrëmjes së sotme në Champions League. Arsenali ka mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 Realin e Madridit, duke hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinales së këtij kompeticioni.
“Topçinjtë” ishin më kërkues në minutat e para. Në minutën e 13 ndodhi një episod i diskutueshëm, pas një topi të Martinelit në zonë. Deklan Rajs gjuajti dhe topi i goditur prej tij preku dorën e Asensios.
Vendasit pretenduan për penallti. Arbitri Irfan Peljto, pasi mori konfirmimin e VAR-it vazhdoi lojën dhe tha se nuk ka asnjë gjë të parregullt në këtë rast.
Në minutën e 58, Deklan Rajs kaloi “Topçinjtë” në avantazh, pasi ekzekutoi saktë goditjen e dënimit.
Në minutën e 69 u përsërit sërish skena. Deklan Rajs ekzekutoi një tjetër goditje dënimi perfekte dhe topi përfundoi për herë të dytë në rrjetën e Kurtua.
Në minutën e 75, ishte Mikel Merino që shënoi golin e tretë për Arsenalin, duke vulosur kështu një fitore të jashtëzakonshme që do të mbahet mend gjatë.
Sikur të mos mjaftonte kjo humbje e thellë, Reali e mbylli ndeshjen si mos më keq. Kamavinga u ndëshkua me kartonine kuq në minutën e 90+4, duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë.
Në “Allianz Arena”, Interi triumfoi përballë organizatorëve të finales së Champions Leasgue, Bajernit të Mynihut me rezultatin 1-2, duke lënë të hapur kualifikimin në gjysmëfinale. Në minutën e 25, Herri Kejn pati shansin e artë të zhbllokonte rezultatin.
Pas një pasimi të artë të marrë nga francezi Majkëll Olize, Kejn si rrallëherë gaboi nga një pozicion që duhej të ishte gol i sigurt. Anglezi nuk iu besoi dot syve me rastin që humbi.
Në minutën e 37, Interi zhbllokoi sfidën. Karlos Agusto pasoi brenda zonës, Turam asistoi me finte për Lautaron, argjentinasi dërgoi topin në rrjetë.
Bajerni barazoi shifrat në minutën e 85 me Tomas Myler. Një aksion i bavarezëve me topin që shkoi nga një krah në tjetrin, u finalizua nga Myler i cili u gjend në vendin e duhur, në momentin e duhur.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në paqe, Interi gjeti golin e suksesit. Kundërsulm i befasishëm i zikaltërve, Karlos Augusto gjeti Fratezin i cili devijoi para portës.
Lini një Përgjigje