TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Tetor 2025, 19:24

Përplasja për vdekje e të moshuarit nga portieri i Interit, kur aksidentet automobilistike prekin futbollin

Shkruar nga Pamfleti

Përplasja për vdekje e të moshuarit nga portieri i Interit, kur

Rasti i fundit i Josep Martinez, portierit të dytë të Interit, i përfshirë në një aksident fatal në Apiano Xhentile ku humbi jetën një i moshuar, ka rikthyer në vëmendje një listë të gjatë ngjarjesh tragjike që kanë përfshirë futbollistë ndër vite.

Disa prej tyre kanë përfunduar në humbje jete, të tjerë kanë ndryshuar përgjithmonë karrierat e sportistëve të njohur, shkruan "Top Channel".

Nga Favali te Skirea: aksidentet që shuan idhuj

Në qershor të vitit 1965, Armano Favali, lojtar i Foxhias, humbi jetën në një aksident rrugor teksa udhëtonte drejt Kremonës. Vetëm dy vjet më pas, në tetor 1967, Xhixhi Meroni i Torinos u godit për vdekje nga një makinë pas një ndeshjeje kundër Sampdorias.

Në prill të vitit 1979, ish-lojtari i Milanit dhe Romës, Paolo Barison, gjeti vdekjen pas një përplasjeje ballë për ballë me një kamion pranë Savonës.

Një tjetër tragjedi e madhe ndodhi në shtator të vitit 1988, kur Gaetano Skirea, një prej mbrojtësve më të mëdhenj të futbollit italian, vdiq në Poloni pas shpërthimit të makinës ku ndodheshin bidona me benzinë.

Tronditjet e viteve ’80 dhe 2000

Në dhjetor të vitit 1983, lojtarët e Leçes, Çiro Pecela dhe Mikele Loruso, humbën jetën në një aksident teksa udhëtonin drejt Barit.

Në vitin 2001, Nikolo Gali, djali i ish-portierit Xhovani Gali, vdiq tragjikisht në moshën 17-vjeçare pas një aksidenti me motor në Bolonja.

Në vitet pasuese, futbolli do të humbiste edhe emra të tjerë: Dirçeu në Brazil (1995), Federiko Pisani i Atalantës (1997) dhe Vitorio Mero i Breshas (2002), për të cilët klubet respektive tërhoqën fanelat me numrat që mbanin në nder të tyre.

Nga Rejes te Zhota: tragjeditë moderne

Në vitin 2007, Lusien Majele, sulmues i Kievos, humbi jetën në një aksident në Verona.

Në qershor të vitit 2019, futbollisti i njohur spanjoll Hoze Antonio Rejes u vra në një aksident me makinën e tij luksoze, ndërsa udhëtonte në autostradë.

Tragjedia më e fundit është ajo e Diogo Zhota, yllit të Liverpulit dhe Portugalisë, i cili, së bashku me vëllain e tij Andre, humbi jetën në një aksident gjatë pushimeve në Spanjë.

Aksidentet që lanë plagë, por jo viktima

Jo të gjitha aksidentet përfunduan me fatalitete. Në vitin 1993, Xhanluixhi Lentini i Milanit mbeti në koma pas një aksidenti të rëndë me makinë. Edhe pse mbijetoi, ngjarja i shkurtoi ndjeshëm karrierën.

Në mars të vitit 2023, Sofian Kijine u përplas me murin e një palestre në Belgjikë, duke pësuar fraktura të shumta, ndërsa në shkurt të vitit 2025, Eliot Li, mesfushori i Urexham, shpëtoi për mrekulli pas një përplasjeje të fortë automobilistike.

Lini një Përgjigje