TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Qershor 2025, 13:06

Përballja me Serbinë, Bekim Balaj: Shpresoj që mendja të jetë vetëm tek futbolli në fushën e lojës

Shkruar nga Pamfleti

Përballja me Serbinë, Bekim Balaj: Shpresoj që mendja të

Shqipëria dhe Serbia do të përballen në stadiumin ‘Arena Kombëtare’ në Tiranë mbrëmjen e së shtunës, ndërsa ky takim ka rikthyer në vëmendje përballjen në Beograd vite më parë, ku pas ngritjes së dronit me flamurin ‘Autochthonous’ u regjistruan edhe përballjet fizike, teksa lojtarë të kombëtares shqiptare mbrojtën simbolet.

Bekim Balaj, si një nga protagonistët e atij takimi, ka risjellë në kujtesë detajet në prag të sfidës së rradhës mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Është një ndeshje që gdhendet dhe mbetet në memorien e të gjithëve, mund të them për rrethanat që ishin dhe në atë ndeshje djemtë të gjithë bënë maksimumin. Edhe pse të paktë në numër që ishim nuk na mungoi asgjë për të ruajtur simbolet tona”, tha Balaj pas një takimi motivues në Shkodër me të rinjtë, në kuadër të Iniciativës “Ta tham n’Shkodër”.

Megjithatë, Balaj shpreson që në ndeshjen e të shtunës, mendja të jetë vetëm te futbolli në fushën e lojës.

“Ndoshta në këtë moment jemi në një situatë ndryshe, kjo ndeshje është madhore për objektivat që kemi ne, pasi Serbinë mund ta shohim si kundërshtarin direkt për një kualifikim të mundshëm në një Botëror. Një ëndërr për të gjithë shqiptarët që besoj se ky grup ka forcën ta bëjë realitet. Dhe nisur nga kjo ndeshje në Tiranë, mendoj se djemtë duhet të ruajnë qetësinë, duhet të jenë gjakftohte dhe ndoshta të mos i marrë me vete ajo atmosfera në shkallët e stadiumit pasi ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë. Shpresoj që të jenë gjakftohtë dhe të bëjnë më të mirën e mundshme në fushën e lojës dhe të arrijmë të dalim me një fitore që do të na vlente shumë”, tha sulmuesi shkodran.

Lini një Përgjigje