
Ervin Bulku, zëvendës trajner në Kombëtaren shqiptare, ka folur në prag të ndeshjes me Letoninë në transfertë.
Bulku e cilësoi si ndeshje shumë të rëndësishme për ecurinë në grup dhe pritet fitorja.
Referuar penalltisë së humbur nga Manaj ndaj Serbisë, Bulku tha se i humbasin edhe lojtarët më të mëdhenj dhe për këtë arsye nuk duhet demoralizuar.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë dhe për objektivin që është kualifikimi në Botëror, ose minimumi të shkojmë në “play off”.
Penallti kanë humbur edhe lojtarët më të mëdhenj. Nuk do të thotë se humb një penallti dhe ta demoralizosh një futbollist. Ne kemi besim tek të gjithë lojtarët. Duam të fitojmë ndeshjen për objektivin që kemi.
Ndaj Serbisë bëmë një ndeshje të mirë dhe për këtë arsye trajneri mendoi që të mos ndryshojë sulmin. Shpresojmë që sulmuesit të zhbllokohen sa më shpejt.
Kapiten mund të ishin edhe të tjera. Të gjithë janë kapitenë dhe të rëndësishëm. Përfaqësojnë fanellën e Kombëtares dhe kanë rëndësi. Ka shumë komponentë kur zgjidhet një kapiten. Kishte një balotazh para ndeshjes dhe Silvinjo zgjodhi Manajn. Në Kombëtare duhen parë lojtarët me më shumë ndeshje dhe lidera.
Duke parë kundërshtarin që kemi përballë, luan me 3-5-2 dhe vendosen shumë mirë. Nuk ka ndeshje të lehtë, pavarësisht në letër. Shpresojmë të bëjmë më të mirën tonë”, u shpreh Bulku.
Lini një Përgjigje