
Një diskutim i madh është bërë sa i përket fituesit të Topit të Artë në këtë edicion. Në fakt gjithmonë ka ndodhur të ketë diskutime, por këtë herë skandali është bërë më i madh, pasi emri i fituesit u mësua zyrtarisht pak ditë më parë. Për këtë arsye asnjë pjesëtar i Realit të Madridit nuk mori pjesë në ceremoni duke anuluar të gjitha udhëtimet. Pritshmëria ishte e lartë që Vinisius Zhunior të merrte vendin e parë, por në fakt ishte Rodri ai që rrëmbeu trofeun prestigjioz.
Florentino Perez doli me një deklaratë të pazakontë duke gjetur arsyen se përse lojtari i tij nuk fitoi “Topin e Artë”. Sipas tij, katër shtete ishin fajtore, mes tyre edhe Shqipëria.
“Rodri është lojtar i madh, ka vlerësimin tonë, por e meritonte “Topin e Artë” vitin e kaluar, jo këtë vit. Pa votat e gazetarëve nga Uganda, Nambia, Shqipëria dhe Finlanda, Vinisius do të kishte fituar “Topin e Artë”. Të paktën gazetari nga Finlanda dha dorëheqjen dhe jam mirënjohës”, tha Perez.
Në këtë mënyrë Perez jo vetëm që kërkonte të gjente alibinë, por njëkohësisht e futi Shqipërinë, Ugandën dhe Nambinë si vende të dorës së tretë që marrin një peshë të madhe për të vendosur sa i përket fituesit të “Topit të Artë”, çmimit më të madh prestigjioz për një futbollist.
Një reagim brilant ka ardhur së fundmi nga një media spanjolle sa i përket kësaj teme, “Cadenaser”. Më poshtë gjeni shkrimin e kësaj media që i kujton Perez se ditën kur Benzema fitoi “Topin e Artë”, i pëlqyen votat e Shqipërisë që tashmë e kritikon pasi nuk e ka në favor.
“Presidenti i Realit të Madridit ka vënë në pikëpyetje nëse përfaqësuesit e Shqipërisë, Finlandës, Ugandës dhe Nambisë, e meritojnë që të votojnë para disa shteteve të tjera. Perez ka përdorur disa argumenta për të shprehur këtë mospajtim të tij me sistemin e votimit të organizuar nga “France Football” dhe UEFA.
Indinjata e tij ishte me vende si Namibia, Uganda, Shqipëria dhe Finlanda, sa i përket votimeve të tyre. Sipas Perez, nëse këto vende nuk do të votonin, Vinisius do të fitonte “Topin e Artë”. Nuk duhet të ktheheni shumë kohë më larg për të kujtuar një lojtar të Realit të Madridit që fitoi “Topin e Artë”. Dhe në atë votim, votat e këtyre vendeve që Perez përmendi, e bën që të buzëqeshte. Në atë kohë Shqipëria, Finlanda dhe Uganda, i dhanë vlerësimet dhe notat më të larta Benzemas. Sigurisht, në atë moment i pëlqeu pasi i kishte në favor”, shkruan media spanjolle.
Lini një Përgjigje