
Bujar Pllana, futbollist i Lechia Gdańsk, flet para ndeshjes së rëndësishme të play-off-it dhe thekson se Shqipëria do të luajë pa presion ndaj Polonisë
Mbrojtësi qendror i Lechia Gdańsk, Bujar Pllana, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në Ekstraklasën polake, duke treguar se është i rrezikshëm edhe në fazën sulmuese. Në ndeshjen e fundit kundër Pogon Szczecin, ai shënoi një gol të bukur që në minutën e 11-të.
Sipas raportimit të mediave polake, Pllana tani është pranë debutimit me kombëtaren shqiptare dhe përballet me një sfidë të rëndësishme ndaj Polonisë në play-off. Ndeshja do të zhvillohet më 26 mars në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë. Fituesi do të përballet në finale me ekipin më të mirë nga çifti Ukrainë–Suedi.
Para kësaj përballjeje, Pllana mban një qëndrim të kujdesshëm dhe nuk pranon të përcaktojë favorit. Ai thekson se fokusi i tij mbetet te performanca personale.
“Është një ndeshje e madhe, do të shohim çfarë do të ndodhë. Dua të bëj detyrën time dhe të paraqitem mirë, megjithëse nuk e di nëse do të luaj,” deklaroi ai.
Mbrojtësi shqiptar shpjegoi gjithashtu se zgjedhja për të përfaqësuar Shqipërinë ka qenë një vendim emocional dhe i lidhur me ëndrrat e fëmijërisë.
“Ishte një zgjedhje që erdhi nga zemra. Kam dashur gjithmonë të luaj për këtë kombëtare. Jam rritur duke e ndjekur dhe jam shumë i lumtur që tani jam pjesë e saj,” u shpreh Pllana.
Duke komentuar ndeshjen me Poloninë, ai theksoi se në futboll rezultatet nuk janë të parashikueshme dhe paralajmëroi kundër nënvlerësimit.
“Në futboll nuk e di kurrë çfarë ndodh. Edhe në Ekstraklasë shohim që çdo ekip mund të fitojë ndaj kujtdo. Nuk mund të përcaktohet paraprakisht një favorit,” tha ai.
Pllana vlerësoi edhe përparimin e kombëtares shqiptare në vitet e fundit, duke nënvizuar pjesëmarrjen në Europian dhe rritjen e vazhdueshme të ekipit.
“Kemi lojtarë cilësorë dhe një trajner të mirë. Me çdo ndeshje po përmirësohemi,” deklaroi ai.
Në fund, ai pranoi se Polonia ka një skuadër të fortë me lojtarë që aktivizohen në ligat më të mira europiane, por theksoi se Shqipëria është plotësisht e përqendruar.
“E dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Është një mundësi për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. Një arritje e tillë do të ishte historike për ne,” përfundoi Pllana.
Lini një Përgjigje