
Me zemrën e thyer, por duke e ditur se vajza e tij e dashur, Irina Alvarez Ezkuivel, tani është një engjëll në qiell, futbollisti Fredi Alvarez dha për herë të parë një mesazh, pas tragjedisë në të cilën vajza e tij e madhe, vetëm 9-vjeçe, humbi jetën në Shqipëri.
Futbollisti mbërriti të enjten në territorin kombëtar së bashku me bashkëshorten e tij Maria Fernanda Ezkuivel dhe djalin e tyre 5-vjeçar. Ata udhëtuan me të njëjtin avion me të cilin mbërriti edhe trupi i vogëlushes, vdekja e së cilës tronditi vendin një javë më parë. Sipas asaj që mësoi “La Nacion”, në aeroport i priste Hoze Luis Rodrigez nga ‘Fútbol Consultants’, i cili është përfaqësuesi i futbollistit.
Është e kuptueshme që mesfushori dhe bashkëshortja e tij nuk kishin forcë mendore për t’u marrë me këto çështje dhe, mes dhimbjes dhe tronditjes, ai u shndërrua në shtyllën kryesore për të menaxhuar riatdhesimin e ndërlikuar nga Europa.
Falë ndërhyrjes së tij dhe mbështetjes së skuadrës së Tiranës, familja arriti të përshpejtojë procedurat ligjore në një moment kur forcat mungojnë.
Nga Guanacaste mbërriti familja e futbollistit, dhe nga San Ramon, të afërmit e bashkëshortes së tij. Të gjithë ishin aty në aeroport, për një ribashkim që rezultoi shkatërrues, përballë një situate kaq të vështirë.
Pas mbërritjes në vend, mbetej edhe një procedurë tjetër, pasi për shkak të kohës së kaluar, autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë duhej të ekzaminonin trupin për të vendosur nëse ishte e mundur të zhvillohej një ceremoni mortore, apo nëse duhej të bëhej menjëherë varrimi.
Pas kontrollit të parashikuar nga protokolli, lajmet ishin disi ngushëlluese: trupi kishte mbërritur në gjendje të mirë, duke i lejuar familjes të përmbushë dëshirën për t’i dhënë lamtumirën vogëlushes të rrethuar nga njerëzit e saj të dashur.

“Engjëllin tonë Irina do ta përcjellim këtë të premte. Të gjithë ata që dëshirojnë të na shoqërojnë, mund ta bëjnë këtë në Plaja Brazilito. Falënderoj të gjithë ata që na dërguan mesazhe mbështetjeje në këtë moment të vështirë. Faleminderit”, u shpreh Fredi Alvarez përmes një mesazhi në llogarinë e tij në Facebook, duke thyer heshtjen pas tragjedisë.
Shtëpia funerale e mori trupin në aeroport dhe pas mesnate, Fredi Alvarez dhe e gjithë familja e tij u nisën drejt Brazilitos, në Santa Kruz. Funerali i Irinës do të mbahet këtë të shtunë.

Një tragjedi që shkaktoi tronditje në Shqipëri dhe Kosta Rikë.
Fredi Alvarez kishte nisur me entuziazëm etapën e tij te K.F. Tirana, pas periudhës së kaluar te Municipal Liberia. Megjithatë, një javë më parë, fatkeqësia trokiti në derën e tij. Edhe pse nuk ka një raport zyrtar të detajuar, mediat lokale në vendin europian raportuan se vogëlushja pësoi një aksident shtëpiak, pasi ra nga një shtrat marinari.
Sot, larg fushave dhe golave, futbollisti dhe familja e tij po përballen me ndeshjen më të vështirë të jetës së tyre, por e bëjnë këtë në tokën e tyre, mes njerëzve të tyre dhe nën diellin e provincës që i do aq shumë, atë plazh ku Irina ishte gjithmonë kaq e lumtur./ “La Nacion.com”
Lini një Përgjigje