
Partizani mposhti Tiranën me rezultatin e pastër 2-0 në derbin e kryeqytetit, në një sfidë ku loja dhe rezultati shkuan plotësisht në një drejtim. Stadiumi “Air Albania” pa një tjetër performancë zhgënjyese të bardhebluve, që nuk arritën të reagonin as pas humbjes 6-2 ndaj Dinamos, ndërsa Partizani konfirmoi kthesën në lojë dhe rezultat.
Sfida u zhbllokua që në minutën e 7-të, kur Hjumën, pas një goditjeje këndi, përfitoi nga hutimi i mbrojtjes së Tiranës dhe dërgoi topin në rrjetë pa shumë kundërshtim. Tirana provoi të reagonte me disa tentativa të vakëta të Haxhiut dhe Tabekut, por pa ide dhe pa rrezik real.
Në pjesën e dytë, skuadra e Kërnajës menaxhoi qetë avantazhin dhe goditi sërish në minutën e 66-të, ku Skuka, pas një topi të humbur nga Meta në mesfushë, depërtoi në zonë dhe në rrëzim e sipër dyfishoi shifrat.
Tirana provoi me zëvendësime të shumta dhe me krosime në zonë, por tentativa të lehta si ajo e Mehmetit apo goditjet pa rrezik të Gudjufit nuk ndryshuan asgjë. Ndërkohë, Partizani pati edhe raste për të thelluar rezultatin me Isgandarlin dhe Kontreras, por mungoi finalizimi.
Ky sukses i jep Partizanit jo vetëm prestigjin e derbit, por edhe moral për vazhdimësinë, ndërsa kriza në kampin bardheblu thellohet më shumë se kurrë. Trajneri Ardian Nuhiu e sheh tashmë stolin të lëkundur, ndërsa tifozët e Tiranës largohen sërish të zhgënjyer.
Derbi i 172-të i kryeqytetit shkoi për të kuqtë dhe këtë herë pa asnjë dyshim në lojë, rezultat apo dominim.
Lini një Përgjigje