
Një skandal bastesh ka tronditur kategorinë e dytë në Bolivi, duke detyruar drejtuesit e Federatës që të ndalojnë kampionatin.
Sipas mediave sportive, vendimi është marrë nga presidenti i Federatës, Fernando Kosta, i cili denoncoi disa ndeshje të dyshuara si të trukuara, duke u detyruar në këtë formë për të marrë vendimin ekstrem.
“Votat pro ishin 14, me një abstenim dhe dy kundër anulimit të turneve të vitit 2023”, deklaroi Presidenti i Federatës Boliviane të Futbollit, Fernando Kosta.
“Kanë dalë indikacione serioze se disa ndeshje janë shitur, – shtoi ai. – Tani do të konsultohemi me Conmebol”.
The Strongest La Paz dhe Uilstermen ishin dy klubet që votuan kundër anulimit të kampionateve, pasi u luajtën 70% e ndeshjeve të planifikuara. Klubi që abstenoi, ishte Real Santa Kruz.
Skandali i basteve të futbollit në Bolivi përfshin edhe gjyqtarë. Alehandro Mançila (presidenti i Komisionit të Arbitrave) dhe bashkëpunëtorët e tij Uillson Estrada dhe Huan Carlos Kardozo janë hequr nga rolet e tyre.
Tashmë, për të zgjedhur fituesin e kampionatit, do të organizohet një mini-turne që do të zgjasë për dy muaj, nga tetori në dhjetor.
Ndërkohë, kjo pauzë do t’i japë kohë Federatës për të dalë në përfundime më të sakta dhe të rinisë sërish aktivitetin, këtë herë duke pretenduar një kampionat të pastër, në vitin 2024.
Lini një Përgjigje