
Roma ka zbarkuar në Tiranës paraditen e sotme, teksa në mbrëmje do të zhvillojë ndeshjen miqësore me Partizanin. Skuadra e drejtuar nga Murinjo dhe delegacioni italian u pritën në aeroport nga një pjesë e stafit të Partizanit.
Mes futbollistëve që janë grumbulluar për këtë ndeshje nga trajneri Murinjo, i pranishëm është edhe mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla. 23-vjeçari po rikuperohet pas dëmtimit të rëndë që pësoi në fund të kampionatit ndaj Milanit dhe do të rikthehet në fushë vetëm në fund të vitit, ndërkohë që me Romën ka ardhur për të shoqëruar skuadrën në vendin e tij.
Kumbulla ishte pjesë e Romës një sezon më parë, kur skuadra italiane fitoi Ligën e Konferencës, duke u bërë në këtë mënyrë skuadra e parë që fitonte atë trofe.
Marash Kumbulla ka dhënë një intervistë të gjatë për “Il Messaggero”: “Dëshira ime është të jem sërish në dispozicion të Romës, para Krishtlindjeve”.

A përfaqëson kulmin e përvojës suaj te Roma fitorja e finales së Ligës së Konferencës në Tiranë?
Sigurisht, për mua ishte trofeu i parë në karrierë. Fitorja në vendin tim ishte edhe më e bukur. Ajo që ndodhi në Tiranë ishte një gëzim i madh.
Finalja e Budapestit, në vend të kësaj, a ishte plagë?
Po, ishte një ndeshje e mallkuar. Na ndoqi fati shumë i keq, episodet me gjykimin, edhe gjërat e tjera nuk shkuan mirë. Tani duhet të rifillojmë, por nëse duhet ta bëjmë, le të fillojmë sërish nga Tirana, nga kohët e mira, jo nga zhgënjimet.
Çfarë ekipi është Partizani?
Ekip i mirë, po luan në Ligën e Konferencës, në raundin e tretë. Do të jetë një test i vlefshëm për ne në funksion të përballjes hapëse të kampionatit kundër Salernitanës.
Sezonin e kaluar, brenda pak ditësh kaluat nga goli kundër Real Sociedad te dëmtimi i rëndë…
Pikërisht, kur isha në gjendje t’i jepja një dorë skuadrës, me Murinjon që filloi të më besonte mua… Dridhem kur nis të mendoj për këtë.
Kur planifikoni të ktheheni?
Dëshira ime është të jem në dispozicion të Romës para Krishtlindjeve.
Në këtë periudhë të vështirë, kush ju ka qendruar më afër në Trigoria?
Bashkëlojtarët kanë qenë të gjithë të jashtëzakonshëm. Dy ditë pas operacionit më ndihmuan të vishja këpucët dhe çorapet. Nëse vërtetë më duhet të përmend emra, mund të tregoj Spinacolën, Karsdorp dhe Bove.
Disa vite më parë thatë se kundërshtari më i vështirë për t’u markuar ishte Dibala. A i mbeteni të njëjtit mendim tani që “Joya” është në Trigoria?
Sigurisht, Paulo është unik, i paparashikueshëm. Ju mendoni se po filloni ta njihni, duke u stërvitur çdo ditë me të. Megjithatë, gjithmonë arrin t’ju mahnitë. Ai e fsheh topin, është thjesht një nivel tjetër.
Cilën ndeshje do të dëshironit ta riluanit?
Roma-Milan, kur këputa ligamentin e gjurit tim. Duke u kthyer pas, do ta shmangia përplasjen me Zhiru. Çfarë fati i keq! Unë vrapova prapa, ai po binte përpara. Ishte e pamundur të shmangej.
Nga prurjet e reja, kush ju ka bërë më shumë përshtypje?
Auar. Ai është një lojtar shumë teknik, mendoj se do të na japë një dorë të madhe. Dhe pastaj Ndicka, fola me të një ditë tjetër. Ai duket më mirë fizikisht, është lojtar i madh.
Lini një Përgjigje