
Kanë përfunduar dy ndeshjet e para në Champions League. Në Kazakistan, Reali i Madridit ka fituar 0-5 në transfertë ndaj debutuesve të këtij sezoni, Kairat Almati.
Në minutën e 24, Franko Mastantuono, u pengua në zonë nga portieri vendas, Kalmirza, arbitri drejtoi gishtin nga pika e bardhë e penalltisë. Kilian Mbape u tregua i saktë nga 11-metrat dhe kaloi madrilenët në avantazh.
Pjesa e parë u mbyll 0-1 për madrilenët. Në fillim të pjesës së dytë, Mbape dyfishoi shifrat pas një topi të gjatë të marrë nga Tibo Kurtua dhe duke zënë në befasi vendasit, francezi dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 73, Rodrigo i sapo futur në fushë bëri gjithçka bukur dhe pasi kaloi me radhë disa mbrojtës, pasoi për Arda Gyler, ky i fundit me një prekje të lehtë asistoi për Mbape, francezi shënoi hat-trick.
Në minutën e 82, Eduardo Kamavinga, pasi kishte një minutë që kishte hyrë në fushë dhe falë një kombinimi fantastik me Rodriogn, mesfushori francez shënoi me kokë. Në fund fare pati kohë edhe për golin e pestë nga Brahim Diaz. Reali i Madridit fiton 0-5 dhe kryeson me 6 pikë të plota pas dy ndeshjeve të para.
Në “Bergamo”, Atalanta ka fituar me përmbysje 2-1 ndaj Klub Bryzhit. Belgët gjetën avantazhin në minutën e 38, kur Kristo Colis shënoi me një goditje shumë të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas një topi të humbur nga kapiteni, Marten de Run.
Përmbysja e bergamaskëve erdhi në 15 minutat e fundit. Në minutën e 75, Pasaliç u pengua në zonë nga portieri kundërshtar, Lazar Samarxhiç nuk gaboi nga 11-metrat. Në minutën e 86, Samarxhiç krosoi nga këndi, Mario Pasaliç dërgoi me kokë topin në rrjetë.
Atalanta fiton 2-1 dhe merr fitoren e parë për këtë sezon në Champions League. Samarxhiç dhe Pashaliç u bënë protagonistët e përmbysjes së bergamaskëve, e cila u hakmor kështu për eliminimin nga belgët në këtë turne një vit më parë.
Lini një Përgjigje