
Vendimi i Kilian Mbape për të mos rinovuar kontratën e tij përtej vitit 2024, është kthyer në temën e ditës në Francë. Largimi i tij nga PSG do të dobësonte ndjeshëm klubin dhe shanset e tij për të fituar Ligën e Kampioneve, që është ëndrra e drejtuesve.
E sigurisht në mes është edhe imazhi i Francës, që nuk po arrin të bëjë të sajën trofeun më të lakmuar për klube në Europë. Ndaj në skenë ka dalë përsëri presidenti i vendit, Emanuel Makron.
Një vit më parë, ishte insistimi i tij që bindi Mbape të firmoste rinovimin në një periudhë kur mendohej se ai do të largohej drejt Realit të Madridit. Duket se këtë herë, presidenti francez ka ndërmend që të bëjë të njëjtën gjë, siç tregon RMC për një bashkëbisedim me një tifoz të futbollistit me kreun e shtetit.
“A e di nëse Kilian do të qendrojë”, e pyeti tifozi. “Nuk kam lajme rreth tij, por do të tentoj t’i bëj presion që të qendrojë”, u përgjigj presidenti francez. Sigurisht, largimi i një ylli të tillë, pas atij të Mesit, do të ndikonte edhe në ekonominë e klubeve franceze, pasi shumë shpejt do të rinegociohen kontratat për të drejtat TV të Ligës 1 dhe pa futbollistë të tillë, vlera e tyre do të binte ndjeshëm.
Lini një Përgjigje