
Pothuajse 3.25 milionë bileta janë shitur për Lojërat e ardhshme Olimpike në Paris pas fazës së parë të shitjeve të nisura më shumë se një muaj më parë, një "sukses" sipas presidentit të Komitetit Organizativ, Toni Estanzh.
"Kjo jep një ide të mirë të shpërndarjes," tha Estanzh, i cili mbrojti përsëri politikën e çmimeve, të cilën disa e konsideruan shumë të lartë.
Pothuajse një e treta e 10.5 milionë biletave për Lojërat Olimpike “Paris 2024” doli në shitje në fazën e parë. Nga ato 3,25 milionë bileta, gati 13 për qind janë shitur për 24 euro, 70 për qind për 100 euro dhe 4,5 për qind për një çmim më të lartë se 200 euro, thanë organizatorët.
Dy të tretat e klientëve janë francezë, tha Estanzh, duke shtuar se klientët përfshinin njerëz nga 158 vende.
Menjëherë pas nisjes së fazës së parë të shitjeve, më 15 shkurt, pati kritika për çmimin e lartë të biletave për disa gara, si 690 euro për atletikën.
Organizatorët e Lojërave kërkuan më vonë falje dhe kujtuan se një milion bileta do të shiteshin për 24 euro, dhe pesë milionë për 50 euro e më pak.
Faza e dytë do të jetë nga 15 marsi, kur do të dalin në shitje 1.5 milionë bileta.
Lini një Përgjigje