TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Shtator 2025, 10:05

La kombëtaren shqiptare për atë zvicerane, reagojnë trajneri dhe drejtori teknik i Zvicrës: Jemi të kënaqur

Shkruar nga Pamfleti
La kombëtaren shqiptare për atë zvicerane, reagojnë trajneri
Adrian Bajrami

Adrian Bajrami vendosi të braktiste Kombëtaren shqiptare, duke kaluar zyrtarisht me kombëtaren e Zvicrës. Mbrojtësi shqiptar që është aktivizuar në 3 ndeshje miqësore me kuqezinjtë, ishte në listë për dy ndeshjet e radhës ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë, por vetëm në ditën e parë të grumbullimit, u njoftua se ai do të luajë për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë. Në lidhje me këtë vendim të mbrojtësit 23-vjeçar, ka reaguar edhe vetë trajneri i Zvicrës, Murat Jakin.

Ai u shpreh në konferencë shtypi se e ka ndjekur futbollistin. “Ai është një lojtar interesant, zhvillimin e të cilit po e monitorojmë nga afër”, u shpreh trajneri Murat Jakin.

Ndërkohë, edhe drejtori teknik i Zvicrës, Pierluixhi Tami ka reaguar në lidhje me këtë vendim, duke u shprehur se stafi ka qenë në kontakt me futbollistin dhe shkak për këtë, është bërë edhe fakti që Zvicra vetëm në ditët e fundit humbi dy lojtarë. Leon Avdullahu vendosi të largohej duke përfaqësuar Kosovën, ndërkohë që Eman Kospo u largua nga Zvicra dhe kaloi me Bosnjen.

“Kemi qenë në kontakt me Adrianin dhe jemi të kënaqur me vendimin e tij për të luajtur për Zvicrën”, u shpreh drejtori teknik i Zvicrës. Zvicra do të luajë dy ndeshje zyrtare pas pak ditësh, ku fillimisht do të presë Kosovën e më pas do të presë Slloveninë dhe ende nuk dihet nëse Bajrami do të jetë i gatshëm për këto dy takime apo jo. Fakti që 23-vjeçari ka zhvilluar vetëm ndeshje miqësore me Kombëtaren tonë, e lejon atë që të bëjë ndryshimin e skuadrës të cilën do të përfaqësojë.

Lini një Përgjigje