
Janë luajtur dy ndeshjet e radhës për javën e dytë të Serisë A. Në “Ennio Tardini”, Parma dhe Atalanta u ndanë në barazim 1-1. “Bergamaskët” e drejtuar nga Ivan Juriç kaluan të parët në avantazh, falë golit të Mario Pasaliç në minutën e 78.
Kroati dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur nga kufijtë e zonës së rreptësisë. Gëzimi i miqve mbeti pezull për disa çaste, pasi u desh ndërhyrja e VAR-it, ku dyshohej për faull në sulm gjatë aksionit, megjithatë arbitri e quajti golin të rregullt.
Por, vendasit nuk u demoralizuan dhe barazuan shpejt shifrat me Patrik Kutrone, i cili shënoi pas krosimit në zonë nga një goditje dënimi. Ditën e djeshme, u transferua në formë huazimi nga Komo te Parma, sot gjeti direkt golin, vetëm pas dy minutash që kishte në fushë.
Në sfidën tjetër, Bolonja fitoi në “Renato Dall’Ara” 1-0 ndaj Komos. Për ekipin e drejtur nga Vinçenco Italiano rezultoi vendimtar goli i sulmuesit Rikardo Orsolini në minutën e 59, pas një aksioni të shpejtë.
Lini një Përgjigje