TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Korrik 2023, 15:31

“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, të pagdhendurit e Ballkanit shpalosin tankun, reagon FFK dhe kërkon dënim nga UEFA e FIFA

Shkruar nga Pamfleti

“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, të

Në Serbi vijojnë të shpalosin pankarta kundër shqiptarëve, me UEFA-n që pritet të marrë masa kundër klubit dhe tifozëve të Crvena Zvezdës. Në miqësoren që serbët fituan 5-0 kundër Fiorentinës në Beograd, tifozët vendas nuk mund të linin pa hapur një pankartë me mbishkrimin: "Kur ushtria të kthehet në Kosovë", shoqëruar me një koreografi ku u shpalos edhe një tank.

Të pagdhendurit e Ballkanit, ultrasit serbë nuk lënë rast pa treguar idetë e tyre nacionaliste të sëmura. Diçka e tillë ndodhi në minutën 12 dhe në sekondën 44, duke e ndërlidhur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit u miratua më 10 qershor 1999, pas marrëveshjes për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Kjo rezolutë e përcakton statusin politik të Kosovës si protektorat të OKB-së dhe i jep administrimin e Kosovës po kësaj organizate ndërkombëtare. Sipas kësaj rezolute OKB ka përgjegjësinë për administratën civile kurse NATO për sigurinë në Kosovë.

Kjo koreografi ka sjellë edhe reagimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila me anë të një deklarate për shtyp, ka kërkuar nga UEFA që të ketë një hetim dhe klubi me tifozerinë të marrin një dënim shembullor.

Postimi i Federatës Kosovare të Futbollit:

27 korrik, 2023 – Federata e Futbollit të Kosovës e dënon ashpër dhe njëherësh shpreh zemërimin dhe shqetësimin e saj lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Crvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës në Beograd.

Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve.

Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.

Federata e Futbollit të Kosovës ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe parimet e UEFA-së, duke paraqitur ankesë zyrtare për këtë çështje. Ne kemi kërkuar nga organet e UEFA-së që ta hetojnë me urgjencë këtë rast dhe të marrin masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të Crvena Zvezdës, në mënyrë që veprimet e tilla shoviniste dhe provokimet e ngjashme të parandalohen në të ardhmen.

Futbolli është sport që përveç argëtimit duhet t’i afrojë njerëzit dhe të shërbejë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit. Koreografitë dhe sloganet e tilla që synojnë të shkaktojnë konflikte dhe urrejtje ndërmjet vendeve dhe popujve nuk duhet të tolerohen.

Ky rast na bën të kuptojmë se duhet urgjentisht organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër ,shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit. Shpresojmë dhe besojmë që ankesa e reagimi jonë do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen.

FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive.

crvena zvezda federata kosovare e futbollit skuadra serbe

Lini një Përgjigje