
Legjenda e arbitrimit në futboll, italiani Pierluixhi Kolina, ka ndarë me publikun emocionet më të forta që ka përjetuar gjatë karrierës së tij.
Në një intervistë të fundit, Kolina ka treguar se ndeshja që do të mbetet përgjithmonë në zemrën e tij është finalja e Champions League e vitit 1999, ndërmjet Bajernit të Mynihut dhe Mançester Junajtid.
“Kjo është ndeshja që më tronditi emocionalisht si asnjë tjetër”, u shpreh Kolina. Finalja e zhvilluar në stadiumin “Camp Nou” në Barcelonë ishte një nga më dramatiket në historinë e futbollit. Bajerni kaloi në avantazh që në minutën e gjashtë me golin e Mario Basler, dhe ruajti rezultatin 1-0 deri në minutën e 90.
Gjermanët ishin me një dorë te trofeu, tifozët festonin, lojtarët në stol përqafonin njëri-tjetrin, por më pas mrekullia. Në minutat shtesë, Mançester Junajtid shënoi dy herë, fillimisht me Tedi Sheringam dhe më pas me Ole Gunar Solskjaer, duke përmbysur gjithçka dhe siguruar titullin kampion në mënyrë të pabesueshme.
Kolina kujton skenën me emocione të mëdha: “Papritur, Mançesteri shënoi dy gola për dy minuta dhe gjithçka ndryshoi. Nuk do ta harroj kurrë britmën e lojtarëve dhe pankinës angleze, ishte si ulërima e luanëve përballë heshtjes si katedrale në anën e Bajernit. Futbollistët e Junajtid vraponin të çmendur në fushë, ndërsa lojtarët e Bajernit ishin shtrirë në tokë, të shkatërruar, duke qarë nga zhgënjimi.”
Ai shtoi se kishte tentuar të ngushëllonte një prej futbollistëve gjermanë: “Iu afrova njërit prej tyre, por nuk munda të thosha asgjë tjetër përveçse: ‘Çohu dhe lufto, ke edhe 20 sekonda!’ Por në atë moment kuptova çfarë është vërtet futbolli. Aty ku jepen gjithë emocionet, ku ndahen gëzimi dhe dhimbja ekstreme. Pas kësaj ndeshjeje, shumë njerëz u dashuruan me futbollin me gjithë zemër.”
Kjo finale mbetet një nga momentet më të paharrueshme në historinë e Ligës së Kampionëve, jo vetëm për rezultatin e saj dramatik, por për emocionet e papërshkrueshme që shkaktoi te të gjithë dashamirësit e futbollit në mbarë botën.
Lini një Përgjigje