
Besa ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme përballë Lushnjes, teksa ka mundur këta të fundit me drithërima me shifrat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 16 në Kategorinë e Parë.
Kavajasit kërkonin me çdo kusht fitoren për të vazhduar ndjekjen e Vorës kryesuese, teksa shpërdoruan një penallti me Mazrekajn i cili goditi shtyllën e më pas ishte edhe Spahiu, i cili gjithashtu u ndal po nga shtylla në fraksionin e parë të lojës.
Në pjesën e dytë, ishin lagunarët që rrezikuan në dy raste me Xhabrahimin ndërsa në fund, Goxha goditi përsëri traversën për kavajasit. E ndërsa dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, një penallti e shkaktuar në minutat shtesë ndryshoi situatën, pasi Kanu këtë herë ishte i saktë nga pika e bardhë dhe shënoi golin e fitores që e afron përsëri Besën me kreun.
Në ndeshjen tjetër, Apolonia dhe Flamurtari e kanë mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen. Një hap fals për skuadrën e Agostinelit në transfertën e Fierit, pasi tashmë janë katër pikë larg Vorës kryesuese dhe dy ndaj Besës së vendit të dytë.
Sfida filloi rreth 20 minuta me vonesë, për shkak të mungesës së ambulancës. Pjesa e parë në Fier u mbyll me avantazhin 1-0 të vendasve. Maksuti ishte autori i golit.
Në të dytën Flamurtari ia doli të dërgojë topin në rrjetë me Selimin. Kështu u vulos dhe rezultati përfundimtar, ndërsa miqtë kishin pretendime për penallti të padhënë nga Lata në minutën e 92.
Vlonjatët tashmë ndodhen në vendin e tretë, teksa fierakët mbajnë vendin e nëntë.
Lini një Përgjigje