
Mungon vetëm zyrtarizimi, por Ardian Ismajli është një futbollist i Torinos.
Mbrojtësi shqiptar ka kryer testet mjekësore në qendrën shëndetësore të klubit torinez dhe më pas do hedh firmën mbi kontratën që do e mbaj të lidhur për të paktën deri në vitin 2028.
28-vjeçari është kështu përforcimi i radhës për skuadrën e Marco Baronit, teksa bashkohet si lojtar i lirë, pas skadencës së kontratës me Empolin. Gjatë sezonit të kaluar në Serie A, mbrojtësi shqiptar zhvilloi 29 paraqitje me Empolin, ndërsa në total ka 117 ndeshje në elitën e futbollit italian dhe një gol të shënuar.
I transferuar fillimisht te Spezia në verën e vitit 2020, Ismajli ka grumbulluar gjithashtu 45 paraqitje me kombëtaren shqiptare. Me ardhjen e tij, Torino fiton jo vetëm cilësi por edhe eksperiencë në repartin e mbrojtjes. Ndërkaq, qëndrimi në Serie A forcon pozitat e tij edhe te kombëtarja shqiptare.
Ismajli ka qenë shpesh alternativë nga stoli për Sylvinhon dhe një vazhdimësi minutash te Torino do e shndërronte në titullar edhe te kombëtarja kuqezi.
Lini një Përgjigje