Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, u shfaq i prekur emocionalisht pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në Varshavë, në një ndeshje që afroi kuqezinjtë pranë një rezultati pozitiv, por që në fund u mbyll me zhgënjim.
Në prononcimin e tij pas takimit për “Klan TV”, Uzuni theksoi sakrificën e skuadrës dhe dhimbjen për rastet e humbura, duke kërkuar ndjesë ndaj tifozëve shqiptarë.
“Kemi luftuar shumë për këtë ditë që ta arrijmë, tani të presim 4-5 vite për të arritur prapë kaq afër. Është e dhimbshme sepse i përkushtohemi dhe dedikohemi. Kishim të gjithë kombin pas nesh, i kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve,” u shpreh ai.
Sulmuesi vuri në dukje se ndeshja mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër nëse Shqipëria do të kishte shfrytëzuar mundësitë e krijuara.
“Me 2-0 mbaronte ndeshja, por nëse nuk shënon, futbolli të dënon. Ky është ligji i futbollit,” tha Uzuni, duke shtuar se ekipi do të përjetojë “netë pa gjumë” pas këtij eliminimi.
Ai vlerësoi gjithashtu paraqitjen e skuadrës në të dyja fazat e lojës, por theksoi diferencën me ekipet e mëdha.
“Nuk jemi Portugalia apo Franca, ato raste që na jepen duhet të jemi 100% për t’i konkretizuar. Më vjen shumë keq,” përfundoi Uzuni.
Lini një Përgjigje