Prokuroria e Milanos ka kërkuar arkivimin e hetimeve ndaj Xhanluka Rokit, ish-dizenjatorit të arbitrave në Serinë A, i cili ishte nën hetim për dyshime mbi një përfshirje të mundshme në favorizimin e Interit përmes caktimit të gjyqtarëve.
Pas rreth dy vitesh hetime, prokurorët kanë arritur në përfundimin se nuk ka prova për një sistem të organizuar manipulimi apo ndikimi në përzgjedhjen e arbitrave. Aktet tashmë i janë dërguar drejtësisë sportive dhe Prokurorisë së Përgjithshme të CONI-t për vlerësime të mëtejshme lidhur me ndonjë parregullsi të mundshme.
Në qendër të hetimit ishin edhe të ashtuquajturat “trokitjet” e Rokit në dhomën e VAR-it në Lisone, ku ai kishte ndërhyrë gjatë disa episodeve të diskutueshme të ndeshjeve. Një nga sfidat e përfshira në hetim ishte edhe Torino-Inter e sezonit të fundit.
Avokati i Rokit, Antonio D’Aviro, ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Milanos duke shprehur kënaqësinë për zhvillimin e çështjes dhe duke mbrojtur veprimet e klientit të tij.
“Kam folur me të dhe është shumë i lumtur. Tani do të vlerësojmë se çfarë do të bëjmë. Fatmirësisht gjithçka u zgjidh brenda një kohe të shkurtër, edhe pse çmimi që iu desh të paguante Rokit ishte i rëndë. Kur shpërtheu kjo çështje, flitej më shumë për të sesa për Trump”, deklaroi avokati.
D’Aviro theksoi se gjatë marrjes në pyetje, Roki kishte dhënë shpjegime të plota dhe kishte mohuar çdo ndikim nga jashtë në procesin e caktimit të arbitrave.
“Pas marrjes në pyetje të Rokit rreth dhjetë ditë më parë, krijova një përshtypje pozitive, sepse ai iu përgjigj me saktësi të gjitha pretendimeve të ngritura ndaj tij dhe i argumentoi ato. Ai dëshmoi se vendimet për caktimin e arbitrave janë marrë gjithmonë në autonomi të plotë dhe se nuk ka pësuar kurrë ndikim nga askush”, u shpreh ai.
Sa i përket ndërhyrjeve në VAR, avokati kundërshtoi idenë se ato mund të konsiderohen si mashtrim sportiv.
“Nuk e kuptoj se si ‘trokitjet’ mund të përbëjnë mashtrim sportiv. Ato kishin për qëllim korrigjimin e një gabimi të rëndë të bërë nga arbitri dhe jo ndryshimin e rezultatit të ndeshjes. Nga pikëpamja juridike, nuk shoh se si mund të ngrihet një pretendim për mashtrim sportiv”, tha D’Aviro.
Sipas shënimeve të prokurorit të Milanos, Marselo Viola, kërkesa për arkivimin e çështjes tregon se janë analizuar episode individuale të ndërhyrjeve të pretenduara, por nuk është gjetur një sistem i strukturuar për të ndikuar në caktimin e arbitrave.
“Ekzistojnë episode historike individuale të ndërhyrjeve të pretenduara, por nuk rezulton të ketë një sistem të organizuar për të ndërhyrë në caktimin e gjyqtarëve të ndeshjeve”, thuhet në aktet e Prokurorisë së Milanos.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu arkivimin e hetimeve edhe për Interin, i cili ishte përfshirë në listën e personave nën hetim vetëm së fundmi. Fillimisht dyshimet lidhnin Rokin me një pretendim se ai kishte ndikuar në caktimin e arbitrave në bashkëpunim me persona të klubit zikaltër, por pa u identifikuar konkretisht ndonjë individ apo mekanizëm i tillë.
Lini një Përgjigje