TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Nëntor 2025, 18:49

Ertjan Kofsha nuk “ndez” në Lojërat Islamike, peshëngritësi shqiptar mbetet jashtë podiumit

Shkruar nga Pamfleti

Ertjan Kofsha nuk “ndez” në Lojërat Islamike,

Shqipëria vijon garat e saj në Lojërat e Solidaritetit Islamik, të cilat po zhvillohen në Riad të Arabisë Saudite që prej datës 7 nëntor. Pas paraqitjes së shkëlqyer nga peshëngritësja Enkileda Carja, e cila fitoi dy medalje argjendi, duke vendosur edhe dy rekorde botërore për të reja në peshat 63 kg, dje ishte radha për të tjerë sportistë të Kombëtares Kuqezi.

Me shumë vëmendje pritej konkurrimi i Ertjan Kofshës, me shtangistin shtërmenas që mati forcat në peshat 94 kg. Ndonëse futej me pritshmëri të larta për zonën e medaljeve, Kofsha nuk ia doli që të kapte podiumin, ndërsa rezultatet e tij ishin inferiore edhe me ato të shënuara disa ditë më parë në Europianin U-20 që u mbajt në Durrës. Kofsha regjistroi 161 kg në stilin e shkëputjes, duke u renditur në vendin e gjashtë.

Në shtytje shënoi 190 kg, për të zënë vendin e tetë, ndërsa me 351 kg në total e mbylli dygarëshin në vendin e katërt, duke mos arritur që të ngjitet në podium. Ndërkohë, dje konkurroi gjithashtu edhe karateisti Melos Gashi, i cili u afrua shumë me zonën e medaljeve. Gashi mati forcat në kategorinë e peshave -84 kg, ndërsa kaloi me sukses dy ndeshjet e para, për t’u ndalur më pas në gjysmëfinale. Karateisti kuqezi provoi në ndeshjen e katërt për medaljen e bronzit, por nuk ia doli.

Ndërkohë në pingpong, Kejdi Kalaja fitoi përballjen e raundit të parë, për t’u eliminuar më pas në raundin e dytë. Në sportin e xhudos, Erisa Brahimaj e ndali rrugëtimin e saj që në turin e parë, ashtu sikurse edhe Orges Arifi në karate. Shqipëria përfaqësohet me 10 sportistë gjithsej në Riad, ndërsa ende nuk kanë zbritur në konkurrim mundësit Islam Dudaev, Zelimkhan Abakarov dhe Chermen Vailev, si dhe Ernest Merdanaj në taekuondo.

ertjan kofsha peshëngritësi shqiptar

Lini një Përgjigje