TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Shkurt 2024, 20:05

“Doja Anglinë dhe jo Çekinë në grup”, Duka ‘driblon’ pyetjen për presidentin e UEFA-s dhe tregon të ardhmen e Silvinjos

Shkruar nga Pamfleti

“Doja Anglinë dhe jo Çekinë në grup”, Duka

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar sot pas shortit të Ligës së Kombeve se do të kishte dashur të shmangte Çekinë. Ai insistoi se skuadrat që kishte përballë Shqipëria ishin të ekuilibruara dhe se vendi i parë ishte një objektiv, ndonëse theksoi se më parë fokusi i plotë i ekipit është tek Europiani.

Grupi le të themi se është i barabartë, me nivele të barabarta skuadrash. Çekia është mbase skuadra më e mirë, nuk është se kisha dëshirë ta kishim, jo vetëm për nivelin sportiv, por sepse kishim një eksperiencë pak muaj më parë.

Mund të kishim tjetër, të treja janë skuadra shumë të mira. Ukraina është skuadër e mirë dhe luan në playoff në Europian, edhe Gjeorgjia gjithashtu, ndërsa Çekia është pjesë e Europianit. Të gjitha janë të forta nga pikëpamja sportive, nuk prisnim më pak. Nivel më i dobët është po të zbresësh më poshtë. Por ajo që biseduam me stafin këtu edhe me trajnerin, dhe ajo që duhet të mendojmë, është të përqendrohemi në Europian. Liga e Kombeve është një kompeticion i rëndësishëm, nëse dalim të parët në grup mund të shkojmë në A, ky do jetë objektivi, edhe se mund të sigurojmë një vend për play-offin e Botërorit. Por duhet të mendojmë për Europianin, duhet të marrim aktivitetet një nga një, duke filluar nga Italia. Pasi të mbarojmë aventurën në Europian, të mendojmë seriozisht si për organizimin dhe sfidat me këta.

Formati i ri? Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, renditja i bën më interesante. Çdo ekip, çdo futbollist e zyrtar që përfaqëson kombin, ka impenjimin maksimal, me objektivin për të qenë të parët. Nga ky grup mund të jetë gjithçka, nuk është surprizë askush që të jetë i parë apo i katërt, janë katër skuadra të mira. Por kthehemi tek ajo që duhet të përqendrohemi te Europiani dhe Ligën e Kombeve ta mendojmë pas tij.

Te grupi i Anglisë? Pse jo, të kishim një eksperiencë ndryshe, për t’u bërë i fortë duhet të luash me më të fortët. Do të dëshiroja të mos kishim çekët, pse jo në grup me Anglinë. Në kualifikueset e Botërorit kishim eksperiencë negative, por mund të provonim të bënim ndryshe”, tha Duka për “TV Klan” pas shortit.

Kur konfirmohet Silvinjo apo keni ndonjë plan B? “Nuk ka asnjë plan B, nuk e mendoj të ndërpres marrëdhënien me stafin. Ka qenë një periudhë e ngarkuar dhe nuk kemi pasur kohë të ulemi dhe të bisedojmë. Kemi para Europianin dhe ai ka qenë i përqendruar aty, është një sukses i madh edhe për Silvinjon që nuk është një nga ata trajnerët me shumë eksperiemcë. Por, do ta gjejmë mundësinë të diskutojmë edhe për atë që do ndodhë përtej Europianit”.

Kandidat për president të UEFA-s pas vendimit të Ceferin për të mos rikandiduar? “Nuk e prisja këtë pyetje. Asgjë nuk e pengonte Ceferin që të vazhdonte, por edhe unë si futbollistët jam i përqendruar tek Europiani”, u shpreh Duka.

armando du presidenti i fshf liga e kombeve

Lini një Përgjigje