TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Tetor 2023, 19:29

“Do të tentojmë kualifikimin në Botërorin 2026”, Armand Duka: Silvinjo është ‘bast i fituar’ deri më tani, e vërteta për çështjen Broja

Shkruar nga Pamfleti

“Do të tentojmë kualifikimin në Botërorin 2026”,

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, në një intervistë ekskluzive për News24, për emisionin Sport News të moderuar nga Trevisa Tufa, foli pas sfidave të tetorit. Duka preku të gjithë temat kryesore, nga efekti Sylvinho e deri tek yjet kuqezi:

-E prisje realisht që mund të bëje një “bingo” të tillë me Sylvinho-n, a keni diskutuar këtë periudhë për t’i rinovuar kontratën? Vetëm mos më thuaj që pasi të sigurojmë matematikisht kualifikimin, ju jeni biznesmen, e di shumë mirë që tregu lëviz shpejt…

Kur kemi vendosur për të pasur Sylvinhon, edhe trajneri e di që ne kemi kontaktuar edhe të tjerë. Vendosëm në ato kohë për Sylvinho-n, por asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt sepse janë shumë gjëra që ndikojnë në rezultat, nuk mjafton vetëm trajneri. Jam shumë i gëzuar pasi mund të themi që është një “bast i fituar”, të paktën deri tani, por rezultatet nuk kanë ardhur rastësisht. Kemi një skuadër të mirë, me çuna me talent që janë shumë të lidhur me fanellën, që e duan fanellën, që japin gjithçka për të dhe kjo është shumë më e rëndësishmja.

Drejtimi dhe organizmi i punës nga Sylvinho dhe nga stafi i tij ka qenë shumë i mirë. Përkushtimi i tyre ka qenë si kurrë më parë, përgatit gjërat deri në detaje për të qenë sa më mirë në fushën e lojës. Përgatitja e të gjithë këtyre gjërave, padyshim edhe skema, talenti etj, ka sjellë këto rezultate, por e thashë nuk jemi ende në Evropian. Në Evropian do të jemi pasi të bëjmë dy rezultate pozitive, ne duhet t’i luajmë këto dy ndeshje me shumë seriozitet.

-Jeni bërë pishman që nuk i ofruat Sylvinho-s ndonjë test miqësor më shumë, mos humbëm më shumë kohë se sa duhej me Edy Rejan?

Ne kemi respektuar kontratën me Edy Reja-n deri në ndeshjen e fundit, më pas firmosëm me një trajner tjetër. Padyshim që nëse do të kishte ndeshje miqësore në dispozicion do të ishte akoma më mirë, por i tillë ka qenë kalendari, megjithatë kjo nuk na ka cënuar, nuk na ka prekur në rezultate, pasi kemi bërë rezultate shumë të mira, madje që në ndeshjen e parë me Poloninë që mbase nuk e meritonim ta humbnim.

-Cili është detaji, apo lojtari, më thuaj diçka që të ka bërë më shumë përshtypje këto kualifikuese?

Unë nuk e kam zakon të flas me emra të përveçëm, por nuk rri pa e thënë që janë dy emra që kanë bërë diferencën në këtë edicion, Asani me golat fantastik që ka shënuar dhe mbrojtësi i majtë Mitaj që është një djalë i ri me talentet që nuk ka qenë më parë pjesë e ekipit të parë, por ka luajtur me të gjithë ekipet zinxhirë. Mbase këto janë dy gjërat e veçanta, pasi pjesa tjetër e ekipit është e njohur për ne, të gjithë janë shumë të mirë, por janë të njohur për publikun. Këto dy ishin prurjet e reja që i dhanë ekipit një shtysë pozitive.

-President, kur sheh golat që realizon sot Shqipëria duket sikur sheh Sylvinho-n dikur, nuk kemi parë kurrë një Shqipëri të tillë, cili është goli që të ka shijuar më shumë?

Goli i Seferit, që mezi kaloi vijën fatale. Goli është gjithnjë i bukur, të jep tre pikë (qesh).

-Hysaj, nuk duket shumë i shqetësuar që iu hoq shiriti…

Hysaj është një futbollist që akoma nuk ka mbushur 30 vjeç, por ka shumë ndeshje në ekipin Kombëtar, ka rreth 80 ndeshje deri tani. Ka kontribute shumë të mëdha, kapiten i ekipit, lojtar shumë i mirë, luan në nivele të larta, te Lazio. E keqja e Hysajt është se ai do të bëjë shumë më shumë se sa bën te Lazio, shpesh kur kërkon të bësh më shumë mbase nuk bën më të mirë, por dëshira është e madhe

Jasir Asani, pse kaq vonë?

Zgjedhje teknike dhe skematike. E kemi diskutuar edhe me stafin e Kombëtares. Me skemën që luajte Edy Reja 3-5-2, Jasir Asani përsëri do ta kishte të vështirë të kishte një vend në ekipin kombëtar. Me skemën që luajmë tani, që mua më duket skema më e përshtatshme për mënyrën se si luajmë, e gjen më lehtë vendin në Kombëtare. Sylvinho, duke pasur parasysh skemën që ai kërkonte të luante, ka qenë në kërkim të një lojtari të tillë, që është i majtë, por që luan djathtas. Pra, përveç kualitetit të tij, që luan shumë mirë, është edhe skema që e ka favorizuar dhe është bërë shumë mirë që është afruar, të gjithë jemi të kënaqur me atë që ka dhënë.

Dyshja Asllani-Bajrani?

Goli që Bajrami ka shënuar në Çeki ka qenë fantastik. Është një djalë fantastik, i dispoznueshëm. Në përgjithësi sportistët kanë tekat e veta në lidhje me pozicionin, Bajrami nuk ka asnjë lloj pretendimi, ku të ketë nevoja skuadra janë i gatshëm thotë, edhe portier thotë jam i gatshëm, kjo e bën që të jetë më i lirshëm që të jap akoma më shumë. Mendoj që është një nga kualitetet më të mira që kemi në skuadër. Asllani? Një ekip i niveleve të larta si Inter nuk mund të marrë një lojtar që nuk ka kualitet. Ka qenë lider në ekipin U-21, ka qenë determinantet në këto ndeshje, në ndeshjen e fundit ka qenë fantastik.

-A ka një çështje Broja, nuk dua të bëj lajm me këtë pyetje, por ka shumë interes nga tifozët. Ka diçka që kërcet, ikën nga grumbullimi, del menjëherë në stërvitje te Chelsea, nuk preferon të qëndroj në stadium, ndryshe nga Ismajli. Si është e vërteta?

Unë besoj se të vërtetën e ka sqaruar vetë trajneri. Ne nuk mbajmë asnjëherë të fshehta, e kemi për detyrë të themi të vërtetën. Unë nuk jam mjek të them se sa ka qenë shkalla e dëmtimit, por futbollisti ka ardhur në ekip për të luajtur për dy ndeshjet e radhës. Pasi ka dalë në stërvitje ka ndjerë dhimbje në gjurin e majtë dhe i ka thënë trajnerit që jam i pamundur për të luajtur, pastaj Chelsea duke qenë i shqetësuar ka kërkuar që futbollisti të kthehet urgjent të kurohet në Londër. Për sa kohë nuk ishte i gatshëm për të luajtur, dhe përderisa Chelsea dhe futbollisti mendonin se kjo ishte më e mira, ne nuk mund ta pengonim. Nuk është se ka një çështje Broja-Sylvinho. Broja nuk është nga ata që krijon çështje, është një djalë i ultë që flet pak me gojë, por shumë me këmbë.

-A mund të jemi një Marok i vogël në Gjermani, nuk po them të imitojnë Greqinë, se ata nuk dinin të shënonin gola kaq të bukur…?

Ne do të jemi një Shqipëri e madhe në Gjermani, jo një Marok i vogël.

-Tani me stofin e zëvendës presidentit të UEFA-s besojmë keni një objektiv të ri, një ëndërr të re, se Evropiani është bërë detyrim, cila është ëndrra me e madhe e Dukës

Ëndërr ka qenë edhe kualifikimi në Evropian, e kemi realizuar në vitin 2016 dhe pretendojmë edhe njëherë tjetër në 2024-n, por niveli më i lartë i nivelit sportiv është Botërori dhe pse jo, do ta tentojmë për 2026-n. Por që ta tentojmë duhet të shohim edhe shortin sepse varet edhe nga kundërshtarët. Megjithatë, ky është një ekip me kualitet të mirë, me një mentalitet të duhur për të qenë pjesë edhe i një Botërori. Pra, objektivi më i lartë mbetet kualifikimi për Botëror.

-Një pyetje e fundit, do ta rishikoni skemën, duket sikur nuk po e jep efektin që pritej, të paktën duke iu referuar deklaratave të aktorëve…

Ne duhet ta shohim deri në fund, pastaj të nxjerrim konkluzionet. Ne kemi kohë që luajmë me një skemë me 10 skuadra, me katër faza vajtje-ardhje. Nuk është se kemi vendosur në një ditë që të bëjmë një mbyllje të kampionatit me një “Final 4” për të patur një spektakël finale për të shpallur skuadrën kampione. Kur kjo skemë vendoset nga fillimi nuk ka pse paragjykohet, sepse të gjithë e dinë se çfarë po luajnë.

Kemi eksperienca të tilla me “Final 4” dhe që kanë rezultuar pozitive. Dhe ne kemi bindjen që kjo do të jetë pozitive. Pastaj, nëse do të kërkosh gjilpërën në kashtë, e gjen gjithkund. Çdo skemë ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne mendojmë se kjo skemë ka më shumë të mira se sa të këqija. Do të ketë shumë më shumë emocione në fund, në ndeshjet e “Final 4” dhe nuk i heq asnjë gjë kampionatit. Nuk besoj se kishte ndonjë gjë për të kritikuar në kuptimin sportiv ndeshjen derbi.

Pra, vazhdon të bëhet një kampionat i mirë, nuk mund të ketë tolerime sepse del jashtë katërshes, por edhe brenda katërshes ka stimuj të tjerë që nuk të lejojnë të bësh tolerime. Kështu që unë mendoj se është një skemë e mirë, e diskutuar padiskutim, çdo gjë e re diskutohet, por pasi i shijon, mund të bëjnë edhe autokritika, siç ishin shumë ato që ndodhën me Sylvinhon në emërimin në krye të Kombëtares.

armand duka presidenti i fsh

Lini një Përgjigje