TAGS-AT E JAVËS

Sport25 Dhjetor 2025, 15:30

Derbi i Katalonjës nën masa të forta sigurie, Espanjoli në alarm për rikthimin e Joan Garsias

Shkruar nga Pamfleti

Derbi i Katalonjës nën masa të forta sigurie, Espanjoli në

Klubi i Espanjolit ka lënë pas vitet e vështira dhe në këtë edicion po shfaqet sërish si një pretendues serioz për zonat europiane, duke rikthyer entuziazmin te tifozët dhe rivalitetin e fortë në Katalonjë. Pikërisht për këtë arsye, derbi ndaj Barcelonës pritet të ketë një tjetër peshë dhe një tjetër tension krahasuar me sezonet e fundit.

Më 3 janar, Barcelona do të udhëtojë në stadiumin e Espanjolit për një përballje që historikisht ka qenë e zjarrtë dhe shpeshherë e mbushur me emocione të forta. Klubi pritës e ka cilësuar zyrtarisht ndeshjen si të rrezikshmërisë së lartë, për shkak të rivalitetit të ashpër mes dy skuadrave dhe klimës që pritet të krijohet në tribuna.

Për këtë arsye, drejtuesit e Espanjolit kanë vendosur të marrin masa shtesë sigurie, me fokus të veçantë te një emër i Barcelonës: Joan Garsia. Portieri ishte pjesë e Espanjolit deri në sezonin e kaluar, por vendimi i tij për t’u larguar dhe për t’iu bashkuar rivalëve të përjetshëm, pasi pagoi klauzolën e largimit prej 25 milionë eurosh, ka shkaktuar zemërim të madh te tifozët bardheblu.

Rikthimi i Garsias në stadiumin ku dikur ishte idhull pritet të shoqërohet me reagime të ashpra, pasi një pjesë e tifozerisë e konsideron atë tradhtar. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, Espanjoli ka parashikuar rritjen e numrit të stjuardëve, veçanërisht në shkallaret dhe zonat pranë fushës, me synimin për të kontrolluar çdo situatë të pakëndshme që mund të lindë gjatë ndeshjes.

Derbi i Katalonjës pritet kështu jo vetëm si një duel i rëndësishëm për renditjen dhe objektivat europiane, por edhe si një test sigurie, në një mbrëmje ku tensioni dhe emocioni premtojnë të jenë në maksimum.

Lini një Përgjigje