
Humbja e rëndë 3-0 e pësuar ndaj Klub Bryzh dhe eliminimi nga Liga e Kampioneve pas golit të portierit të Benfikës Trubin ndaj Realit të Madridit, rrezikojnë të lënë plagë të thella tek Olimpiku i Marsejës.
Edhe pse skuadra është plotësisht në garë për një vend në zonën Champions në Ligën 1 (Marseja është në vendin e tretë me 38 pikë), e ardhmja e Roberto De Zerbit në pankinë është shumë në dyshim. Nga të dyja palët, këto orë kanë qenë orë reflektimi, aq sa trajneri italian nuk është paraqitur në seancën stërvitore me skuadrën pas humbjes në Belgjikë.
Sipas “RMC Sport”, De Zerbi, mund të shkarkohet nga Marsejë, me drejtuesit e klubit që janë gati të zyrtarizojnë “divorcin” para takimit kundër Paris FC këtë fundjavë.
Stërvitja u drejtua nga zëvendëstrajneri, Andrea Maldera. Pra, tensionet tek Olimpiku i Marsejës mbeten të larta dhe në vijim mund të vijë edhe ndarja me De Zerbin, diçka që nuk pritej deri para pak orësh.
Pas përplasjeve me gazetarët francezë, De Zerbi nuk i kurseu fjalët e ashpra edhe pas humbjes me Bryzhin. ‘Unë jam përgjegjësi, por të gjithë duhet të shohim në ndërgjegjen tonë’-ishin fjalët e trajnerit italian.
Lini një Përgjigje