
Herolind Shala, që pritet të transferohet së shpejti te Partizani, është një lojtar i nivelit të lartë, që ka luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë dhe përfaqësuesen e Kosovës. Madje, në vitin 2016, ai ishte në listën e zgjeruar të trajnerit De Biazi për Kampionatin Europian të zhvilluar në Francë, por në fund ishte një mes katër lojtarëve që iu desh të linin fazën përgatitore në Austri dhe të ktheheshin në shtëpi, pasi nuk bënin pjesë në listën zyrtare të Kombëtares.
Përveç Shalës, në shtëpi shkuan edhe Rashica, Rrahmani dhe Gjimshiti. Herolindi dhe dy të tjerët iu bashkuan Kosovës, ndërsa Gjimshiti qendroi me Shqipërinë, ku së fundmi shkroi historinë, duke u kualifikuar në Kampionatin Europian si kapiten.
Zhgënjimi– Familja dhe vetë Herolindi në atë kohë nuk e morën lehtë largimin nga Shqipëria. Ai menjëherë vendosi t’i bashkohej Kosovës, teksa në atë kohë vëllai i tij, Mirlind Shala, shpërthente në rrjetet sociale:
“Për fat të keq, Herolindi nuk do të luajë në “EURO 2016” në Francë. Familja ime dhe unë jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të befasuar nga ky vendim. Për fat të keq, pas kësaj unë nuk mund të mbaj më të njëjtin respekt që kisha më parë për trajnerin. Personalisht, nuk do ta ndjek më ekipin kombëtar shqiptar në kampionatin e ardhshëm. Për mua, shprehja ‘Kosova është Shqipëri’ do të jetë po aq e provokueshme sa thënia ‘Kosova është Serbi’. Për mua, Shqipëria ndihet si një vend i huaj”, shkruante Mirlind Shala.
Me Kosovën – Pavarësisht polemikave të shumta, Herolindi vijoi karrierën me Kosovën, ku luajti në total 27 ndeshje. Një nga ndeshjet rezultoi të ishte pikërisht ajo kundër Shqipërisë më 29 maj 2018, ku Kosova dominoi atë ndeshje miqësore dhe e fitoi me shifrat 3-0 me dopietën e Zenelit dhe golin e Zhegrovës. Pas asaj ndeshjeje, nuk mungoi festa dhe një postim i Shalës në rrjetet sociale, ku shkruante: “Na nënçmuat? Në rregull, ne flasim vetëm në fushë, ne jemi Kosova dhe prisni gjëra të mëdha në të ardhmen. Faleminderit bashkatdhetarë për përkrahjen e madhe. Të dua vendlindja ime”.
Hapi pas – Ky postim u përball më pas me shumë kritika nga ana e opinionit sportiv shqiptar dhe mesfushorit iu desh të reagonte me një shkrim, ku sqaronte deklaratën dhe në fund kërkonte falje. “Përshëndetje të dashur miq! Dua të sqarohem për një shkrim timin pas ndeshjes së djeshme vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Fjala na nënçmuat ka qenë vetëm për disa gazetarë e analistë, por edhe për trajnerin italian që na ka nënçmuar para ndeshjes dhe jo për tifozët ose ndokënd në FSHF.
Si përfaqësuese e re nuk meritojmë nënçmim, së paku meritojmë përkrahje për t’u rritur, pasi edhe ne si futbollistë që luajmë për Kosovën, mundohemi t’i prezantojmë sa më mirë shqiptarët kudo që janë. Mbi të gjitha ne jemi të gjithë shqiptarë, ne jemi të një kombi, por kemi dy ekipe futbolli. Të gjithë që jeni ndier të ofenduar ose jeni prekur nga ai shkrim i imi, ju kërkoj falje, edhe pse qëllimi nuk ka qenë për të lënduar askënd. Faleminderit për mirëkuptim shqiptarë kudo që jeni. Forca Shqipëria dhe forca Kosova”, sqaronte Shala./Panorama Sport
Lini një Përgjigje