
Përfundojnë ndeshjet në 4 takimet e mbrëmjes në Champions League. Ajntrahti i Frankfurtit triumfoi me rezultatin 5-1 ndaj Gallatasarajit. Turqit kaluan të parët në avantazh pas 7 minutash lojë, një kundërsulm i shpejtë dhe kombinim perfekt Sane-Akgun, i dha avantazhin turqve.
Barazimi i vendasve erdhi në minutën e 36, ku pas një topi të humbur në fushën e Gallatasarajit, Ritsu Doan, e dërgoi atë në rrjetë. Në minutat shtesë, vendasit shënuan dy gola të shpejtë, fillimisht me turkun Çan Jillmaz Uzun dhe golin e tretë me Jonatan Burkardt.
Në pjesën e dytë, gjermanët shënuan edhe 2 gola të tjerë. Fillimisht ishte Burkardt në minutën e 66 që gjeti golin e katërt për ekipin e tij dhe dopietën personale në këtë ndeshje. Ndërsa në minutën e 75, Knauf kompletoi “manitën” për Frankfurtin.
Në “St James Park”, Barcelona mposhti Njukasëllin me rezultatin 1-2. Markus Rashford gjeti më në fund golin e parë me fanelën e Barcelonës. Anglezi dërgoi topin në rrjetë në minutën e 58, ndërsa 9 minuta më vonë ishte sërish Rashford që dyfishoi shifrat. Debutim perfekt për sulmuesin anglez me fanelën e katalanasve.
Në minutën e 90, Antoni Gordon ngushtoi shifrat për “qymyrxhinjtë”, por goli i tij nuk pati vlerë për t’i marrë pikë katalanasve.
Në “Etihad Stadium”, Siti fitoi kundër Napolit me rezultatin 2-0.Pas 22 minutash lojë, italianët e panë veten me një lojtar më pak.
Kapiteni, Xhovani Di Lorenco, pengoi Erling Haland në kufijtë e zonës së rreptësisë, në minutën e 20. Arbitri pasi pa edhe vetë pamjet në ekran, ndëshkoi me karton të kuq Di Lorencon. Kapiteni la ekipin e tij me 10 lojtarë, por ama i shpëtoi nga një gol që ishte i sigurt.
Në minutën e 26, Konte largon De Brojne dhe në vend të tij hyri Matias Olivera. Duke qenë se belgu ishte lojtari që po vraponte më pak se të tjerët dhe shumë pak aktiv, Konte nuk priti gjatë dhe e zëvendësoi pa mbaruar pjesa e parë. De Brojne u largua si zotëri, pa bërë asnjë ankesë apo gjest ndaj vendimit të trajnerit.
Siti zhbllokoi ndeshjen me Erling Haland në minutën e 56, pas asistit fantastik të Fil Foden. Në minutën e 65, Doku vulosi shifrat 2-0 për ekipin e drejtuar nga Pep Guardiola.
Në Lisbonë, Sportingu shkatërroi me “poker” Kairat Almatin. Trinkao zhbllokoi ndeshjen në minutën e 44. Në minutën e65 ishte sërish Trinkao që dyfishoi shifrat dhe realizoi dopietën e tij personale.
2 minuta më vonë, Alison Santos gjeti edhe golin e tretë, ndërsa në minutën e 68, Kuenda katërfishoi shifrat, duke kompletuar “pokerin” për ekipin nga Lisbona.
Në minutën e 86, Edmilson Santos shkurtoi shifrat për kazakët, por goli i tij vlejti sa për statistikë.
Lini një Përgjigje