
Presidenti i FSHF, Armand Duka ka bërë një analizë pas barazimit të ndeshjes Letoni-Shqipëri, 1-1.
Në një postim në Facebook, Duka tha se ndeshja me Letoninë nuk ishte ajo që pritej apo rezultati që duhej të merrnim, teksa shtoi se gara vazhdon. Ai tha se ekipi kuq e zi duhet të rikthehet në shtator më i kthjellët dhe më me uri për të marrë maksimalen e për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku askush tani nuk mund ta mendojë.
Më tej, Duka lajmëroi për një rikthim më të fuqishëm në shtator, ndërsa theksoi se tashmë kuq e zinjtë do të provojnë e sakrifikojnë deri në pasin e fundit të mundësive që kanë!
Postimi i plotë:
Ndeshja në Letoni nuk ishte ajo që do donim të shihnim, apo rezultati që do duhej të merrnim. Gabuam në disa raste dhe kundërshtari shfrytezoi në gabimet tona. Dalim me vetëm një pikë nga kjo ndeshje, teksa duhet t'i merrnim te treja.
Kemi bërë gjysmën e ndeshjeve eliminatore dhe gjysma tjeter e mbetur na imponon të jemi me mendësi e energji krejt të tjera.
Kuptoj dhe mirëkuptoj sensitivitetin e çdokujt për ekipin tonë kombëtar dhe mbarëvajtjen e tij.
Nuk arritëm të merrnim fitoren, por gara vazhdon, kemi ende dhe një gjysmë rruge përpara. Asgjë nuk është mbyllur dhe asgjë nuk ka mbaruar për asnjë nga rivalët tanë. Natyrisht, ne na duhet të rikthehemi në shtator më të kthjellët dhe më me uri e grintë për të marrë maksimalen e për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku askush tani nuk mund ta mendojë.
Dhe për të arritur këtu stafi teknik duhet t'i nënshtrohet një analize bazike siç edhe përherë bën, por që këtë radhë kam bindjen që do të prodhojë një reagim të menjëhershëm.
Luajtëm 4 sfida, kemi edhe 4 të tjera. Njohim forcën e rivalëve sikundër edhe ata njohin mirë peshën dhe rrezikun tonë. Do të luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset e mundësitë tona që ende i kemi në këmbët tona!
A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli!
A kemi gabime në lojë që kerkojnë të analizohen me qetësi e maturi. Patjetër. Si çdo ekip tjetër. Ne do të vazhdojmë fort dhe me besim garën tonë ende të hapur.
Sepse, Ne jemi Shqipëria!
Do të provojmë e sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi!
Rikthehemi në shtator!
Lini një Përgjigje