
Federata Angleze në kërkim të pasardhësit të Garet Sauthgejt si trajner i Anglisë.
Një emër i ri surprizë është shfaqur si kandidat ndërsa FA vazhdon kërkimin e saj për zëvendësuesin e përhershëm të Gareth Southgate.
Sauthgejt u tërhoq nga roli i tij si trajner i Anglisë pas humbjes ndaj Spanjës në finalen e “EURO 2024”.
Trajneri i Njukasëllit, Edi Hou, ish-trajneri i Çelsit, Graham Poter dhe trajneri i Anglisë U21, Li Karsli, dolën si favoritët e hershëm për të zëvendësuar Sauthgejt.
Por një tjetër emër tashmë ka hyrë në garë; bëhet fjalë për trajnerin e Ipsuiçit, Kieran MekKena.
“The Sun” raporton se 38-vjeçari irlandezo-verior, është shfaqur si kandidat pas punës së mirë të bërë në drejtim të skuadrës së sapongjitur në elitën e futbollit anglez.
Drejtori teknik i Federatës Angleze të Futbollit, Xhon MekDermot, ka marrë për detyrë të hartojë një listë të ngushtë të zëvendësuesve të mundshëm për Sauthgejt dhe ka punuar me MekKena kur ai ishte trajner i të rinjve te Totenhemi.
MekKena u largua nga “Spërsat” në vitin 2016 për t’u bashkuar me Mançester Junajtid si trajner kryesor i U-18-ve dhe përfundimisht u bë asistent i ekipit të parë në “Old Trafford”.
Ai u largua për të marrë drejtimin e Ipsuiçit në vitin 2021, roli i tij i parë si trajner i një ekipi profesionist, dhe e udhëhoqi me sukses klubin nga Liga Një në Premier League me ngjitje të njëpasnjëshme.
Ai ishte i lidhur me Junajtid, Çelsin dhe Brajtonin në fillim të kësaj vere përpara se të nënshkruante një kontratë të re prej 5 milionë sterlinash në vit me Ipsuiçin.
“The Sun” raporton se Mekkena është ‘i lumtur’ në rolin e tij aktual dhe pretendon se Ipsuiçi do të luftonte shumë për ta mbajtur atë nëse Federata Angleze do të bënte një lëvizje për trajnerin e tyre.
Ndeshja e radhës e Anglisë është përballja në Ligën e Kombeve me Republikën e Irlandës më 7 shtator.
Nëse një trajner i përhershëm nuk është në gjetur deri në atë kohë, trajneri i Anglisë U-21, karsli pritet të marrë drejtimin e kombëtares – duke i dhënë atij mundësinë për të bindur drejtuesit e Federatës Angleze.
Lini një Përgjigje