
Ajaksi ndodhet në një krizë totale, ndërsa pas nëntë javësh kampionat vuan në vend të parafundit me vetëm pesë pikë të grumbulluara.
Skuadra e Stejin u mund me rezultatin 4-3 nga Utreht këtë të dielë, në ndeshjen që u shoqërua me tensione dhe ndërprerje. Vendasit zhbllokuan sfidën në minutën e 44, me Flamingon që kaloi ekipin e tij në avantazh.
Goli i dytë i këtij takimi u realizua në minutën e 48 nga Van der Horn që dyfishoi avantazhin e vendasve.
Ajaksi provoi të reagonte me Hinson në minutën e 52, që rihapi sfidën, ndërsa po vetëm tre minuta më vonë ishte po ai që shënoi golin e barazimit për Ajaksin.
Miqtë vazhduan me sulmet dhe në minutën e 65 Bergvijn kaloi ekipin e tij në avantazh. I shpejtë ishte reagimi i vendasve që barazuan me Turnstra në minutën e 71.
Ndeshja u tensionua kur tifozët filluan të gjuanin me gota dhe objekte të tjera në drejtim të lojtarëve në minutën e 89, me skuadrat që shkuan në dhomat e zhveshjes, deri në momentin që situata u qetësua.
Sapo u rikthyen në fushë, në minutën e 90 të ndeshjess, Fraulo vulosi sfidën, duke shënuar golin e katërt për vendasit dhe duke rikonfirmuar krizën e Ajaksit.
Pas javës së nëntë të kampionatit holandez, Utrehti renditet në vendin e 16 me gjashtë pikë, ndërsa Ajaksi në vend të 17 me pesë pikë.
Lini një Përgjigje