
Devid Beckham ka më shumë se 10 vite që është tërhequr nga futbolli, e megjithatë vazhdon të mbetet një nga ikonat e këtij sporti në mbarë botën, falë karrierës fantastike, brenda dhe jashtë fushe, po ashtu edhe falë kontributit që ka vitet e fundit si President i Inter Miami në SHBA. Karriera e britanikut, madje e gjithë jeta e tij, është vënë sërish në qendër të vëmendjes, falë dokumentit të fundit të Netflix, ku tregohet gjithçka për yllin e kombëtares angleze, edhe pjesët e vështira të jetës së tij profesionale dhe personale, siç është edhe ky rast.
Kështu, momenti më i errët i karrierës së Bekamit, që ndikoi shumë edhe në gjendjen e tij emocionale, gati edhe fizike jashtë fushe, ishte kartoni i kuq në Kupën e Botës në vitin 1998. Bëhet fjalë për ndeshjen me Argjentinën, një skuadër që Anglia, pavarësisht distancës e ka një rivale shumë të fortë dhe jo pak herë përballjet mes tyre kanë qenë temë e nxhetë debati. Kështu, kur dy përfaqësueset u përballën në raundin e 1/16, Bekam mori një karton të kuq, duke u përjashtuar nga ndeshja.
Sa për kontekst, mesfushori i Mançester Junajtid në atë kohë, pati një dyluftim me Diego Simeonen, sot trajner i Atletikos së Madridit, me argjentiasin që pas përplasjes me Bekamin, e shtyu dhe e preku edhe në kokë në shenjë provokimi, çka bëri që Devid ta pengonte, duke nisur një përplasje masvie mes skuadrave, gjë që çoi arbitrin t'i tregonte kartonin e kuq. Anglia duhej të luante pjesën tjetër të ndeshjes me 10 lojtarë kundër 11 të Argjentinës, teksa përballja shkoi në kohë shtesë dhe penallti. Si përfundim, fitoi Argjentina 4-3.
Pas ndeshjes, falë veprimit të tij, Bekam u kryqëzua nga tifozët dhe shtypi britanik, duke u akuzuar si "tradhëtar" dhe e la Kombëtaren e tij në baltë, për këtë mjafton të përmendin titullin e "Daily Mirror": "10 luanë heroikë, një djalë budalla”. Këtu nisi një sagë e gjatë urrejtje për Bekamin, i cili siç zbulon në dokumentar mori kërcënime me vdekje nga fansat, madje ka marrë edhe letra me plumba brenda, ndërsa një figurë e tij u var jashtë një bari në Londër, si për të treguar që futbollisti ishte "i vdekur" për ta.
Jo vetëm Bekam, por edhe njerëzit rreth tij u prekën, teksa menaxheri i Junajtid, Sër Aleks Ferguson, u godit me gurë dhe gota birre, ndërsa tifozët bërtisnin: "Ne e urrejmë Bekamin". Në dokumentar, futbollisti thotë se u ndje i zhgënjyer nga shumë shokë të skuadrës, që priste ta mbështesnin, megjithatë kjo nuk i mungoi nga Fergusonit, një figurë e rëndësishme në rritjen e tij siç Devid e quan, i cili i tha pas ndeshjes kundër Argjentinës: "A je mirë bir? Mos u shqetëso, largohu për disa javë...kthehu në klub dhe na ke ne'
Por edhe pse kjo e qetësoi disi lojtarin, sërish problemet për të vazhdonin, teksa miku dhe partneri i biznesit, Devid Gardner, tha se në rrugë ose godisnin xhamat e makinës së tij në semafor, ose e pështynin. Urrejtja që mori, bëri që Bekam të kalonte një periudhë të errët depresioni, një ndjesi ekstreme sipas tij, pasi “i gjithë vendi e urrente", ndërsa edhe sot, vazhdon të pendohet për kartonin e kuq.
Megjithatë, Bekam e arriti ta merrte hakmarrjen e tij. 4 vite më vonë, fillimisht dhuroi një performancë fantastike kundër Greqisë, duke kualifikuar thuajse i vetëm Anglinë në Botëror, ndërsa në fazën e grupeve në Kupës së Botës 2002, me shiritin e kapitenit në krah, shënoi golin e fitores ndaj Argjentinës, duke i eliminuar këta të fundit nga grupet. Pas kësaj ndeshje, njerëzit nisën ta harronin "horrorin" e 98-ës. /News31
Lini një Përgjigje