Reperi Gjesti u përball sot me drejtësinë pas incidentit të raportuar dy ditë më parë në zyrat e kompanisë “Onima” në Prishtinë, një ngjarje që ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Së fundmi për këtë çështje ka reaguar edhe G-Bani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur mbështetjen për artistin.
Sipas tij, problemi nuk lidhet drejtpërdrejt me personalitetin e Gjestit, por me njerëzit që e rrethojnë dhe që, sipas tij, nuk kanë arritur ta ndalojnë në momentet kur situata ka dalë jashtë kontrollit.
G-Bani thekson se disa faktorë mund të kenë ndikuar në reagimin e reperit, duke përmendur moshën e re, presionin e famës dhe gjendjen e rënduar emocionale pas humbjes së vëllait, të cilat sipas tij mund ta kenë shtyrë artistin të reagojë në mënyrë të nxituar.
Në reagimin e tij ai shton gjithashtu se Gjesti është ndjerë i tradhtuar nga persona të cilëve u kishte besuar, duke thënë se “u pre në besë kur e denoncuan”. Megjithatë, ai pranon se mënyra se si reperi zgjodhi të përballej me konfliktin ishte e gabuar.
Në fund të mesazhit, G-Bani u bën thirrje autoriteteve që të tregojnë maturi në vendimin që do të marrin, duke theksuar se Gjesti mund të marrë një mësim apo edhe një gjobë të rëndë, por sipas tij nuk duhet t’i hiqet liria, pasi nuk përbën rrezik dhe një vendim i tillë do të ndikonte edhe në karrierën e tij artistike.
Lini një Përgjigje