
Patinatorja holandeze Jutta Leerdam pritet të përfitojë deri në 1 milion dollarë nga marrëveshja e saj me Nike, pasi një moment nga gara e saj në Lojërat Olimpike Dimërore u bë viral në rrjet.
27-vjeçarja, e fejuara e Jake Paul, fitoi medalje ari dhe argjendi në Lojërat e zhvilluara në Cortina d'Ampezzo, duke rritur ndjeshëm vlerën e saj në tregun e marketingut sportiv.
Leerdam triumfoi në garën e 1,000 metrave në patinazh të shpejtë, duke vendosur rekord olimpik. Menjëherë pas përfundimit të garës, e emocionuar, ajo hapi uniformën e saj të garës, duke zbuluar reçipetat sportive të bardha të Nike – një moment që u kap nga kamerat dhe u shpërnda me shpejtësi në media dhe rrjete sociale.
Imazhi u bë viral dhe u publikua në faqet kryesore të mediave sportive, ndërsa u ripostua edhe nga llogaria zyrtare e Nike në Instagram, e cila numëron 298 milionë ndjekës.
Sipas Frederik de Laat, themelues i kompanisë Branthlete, e specializuar në marketingun e sportisteve femra, marrëveshja e Leerdam me Nike mund të kapë shifra mbi 1 milion dollarë. “Me Nike, dyshoj se po flasim për 1 milion e lart”, – është shprehur ai për gazetën holandeze Algemeen Dagblad (AD).
Ndërkohë, Meindert Schoot, kryeredaktor i revistës Quote, thekson se Leerdam – e cila ka rreth 6.2 milionë ndjekës në Instagram – mund të përfitojë afërsisht 1 cent për ndjekës për çdo postim të sponsorizuar. Kjo do të përkthehej në rreth 62 mijë euro për çdo postim që promovon Nike.
Suksesi i saj ka tërhequr vëmendjen edhe të markave të tjera. Rrjeti holandez i shitjes me pakicë HEMA reagoi pas fitores së saj, duke promovuar një laps sysh me mesazhin: “I papërshkueshëm nga uji, edhe me lot gëzimi”, pasi grimi i sportistes u prish nga emocionet gjatë festimit.

Lini një Përgjigje