Prej disa javësh, gjendja shëndetësore e modeles Dajana Kalo ka qenë në rrezik, pasi ajo pësoi një hemorragji në tru, të shkaktuar nga një malformacion arteriovenoz (AVM): një gjendje serioze që kërkoi ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.
Pas operacionit dhe një periudhe të vështirë rikuperimi, modelja ka reaguar për herë të parë përmes një postimi emocional në Instagram, ku ka ndarë me ndjekësit foto dhe video nga procesi i rehabilitimit.
“Hi të dashur! Po përpiqem të rikthehem sërish… Nuk e di pse kam kaq shumë emocione dhe e kam pak të vështirë të shprehem, por e ndjej nga zemra ta bëj këtë post,” – shkruan ajo.
Dajana ka falënderuar publikisht të gjithë ata që e kanë mbështetur moralisht dhe financiarisht, duke i dhënë mundësinë të kurohet në një nga spitalet më të mira.
“Faleminderit nga thellësia e shpirtit për mundësinë që më dhatë që të kurohesha… Gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe do të vazhdojë të shkojë edhe më mirë vetëm me pozitivitet, siç më njihni,” – shprehet ajo.
Si pasojë e gjendjes shëndetësore, modelja kishte vështirësi në lëvizjen e anës së djathtë të trupit dhe nuk mund të ecte normalisht. Në pamjet e publikuara së fundmi, ajo shihet duke punuar intensivisht me fizioterapistët, në një proces të gjatë, por shpresëdhënës rikuperimi.
“Do shihemi shumë shpejt me më shumë dritë, më shumë energji dhe një version edhe më të fortë të vetes sime. Ndonjëherë është në rregull të mos jemi të fortë… vetëm që të kuptojmë sa forcë mbajmë brenda nesh si qenie,” – përfundon ajo.
Dajanës i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në jetën publike!
Lini një Përgjigje