Aktori amerikan Michael B. Jordan ka zbuluar së fundmi se pas interpretimit të njërit prej roleve më të vështira dhe më të rëndësishme të karrierës së tij, ai iu drejtua terapisë për të përballuar ndikimin emocional të personazhit. Intervista u zhvillua për “CBS Sunday Morning”, ku 38-vjeçari foli hapur për përvojën që përjetoi pas rolit të Erik Killmonger në filmin “Black Panther” të vitit 2018.
Killmonger, një mercenar i Black Ops dhe kushëri i T’Challa-s (i luajtur nga aktori i ndjerë Chadwick Boseman), është personazhi negativ i filmit. Ai përpiqet të pushtojë Wakanda-n, por në fund mposhtet dhe humb jetën. Jordan pranoi se pas përfundimit të xhirimeve, ishte e vështirë të shkëputej emocionalisht nga personazhi.
“Më mbeti në mendje për njëfarë kohe. E dini, shkova në terapi dhe fola për këtë. Gjeta një mënyrë për t’u çlodhur, mendoj se në atë pikë ende po mësoja se duhej të çlodhesha nga personazhi”, rrëfeu aktori.
Sipas Jordan, terapia nuk ishte e dobishme vetëm për të përballuar pasojat e rolit të Killmonger, por u shndërrua në një proces më të gjerë vetë-reflektimi dhe vetë-zbulimi personal.
“U zhvillua në një bisedë dhe vetëzbulim më të gjerë”, shtoi ai, duke theksuar se sot e konsideron terapinë të domosdoshme dhe nuk heziton ta rekomandojë, veçanërisht për burrat.
Jordan shtoi:
“Mendoj se është mirë që ata të shkojnë dhe të flasin. Është diçka për të cilën nuk turpërohem aspak dhe jam shumë krenar. Patjetër që më ka ndihmuar të përpiqem të jem një komunikues i mirë dhe një person i gjithanshëm, brenda dhe jashtë.”
Për aktorin, eksperienca me Killmonger tregoi se edhe rolet më të fuqishme dhe dramatike mund të kenë ndikim emocional të thellë, dhe se kuptimi i kufijve mes jetës profesionale dhe asaj personale është thelbësor për shëndetin mendor.
Lini një Përgjigje