TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle21 Korrik 2024, 11:21

Ç’i duhen librat Noizy-t kur i bën ‘fresk’ politikës?

Shkruar nga Pamfleti

Ç’i duhen librat Noizy-t kur i bën ‘fresk’

Deklarata e Rigels Rajkut, apo siç njihet gjerësisht, Noizy se nuk lexon libra ngaqë i duken të mërzitshëm çuditi jo pak opinionin publik. Djali nga Peshkopia deklaroi në një podcast me të gjithë sinqeritetin që nuk e dimë nga i buroi se:

“Jo nuk e kuptoj pse për herë them që dua ta zhvilloj shqipen me lexim por janë ‘boring’, mërzitem shumë shpejt. Nuk do isha mëzit kurr duke lexuar jo poezit, por fjalët e urta”.

Duke gjykuar nga tekstet e këngëve të Noizyt, nuk ka asgjë për t’u habitur. Ai i këndon ‘të bardhës e jeshiles’, tundjes së vitheve femërore, markave të makinave dhe çunave me armë që e mbrojnë se ka armiq, kush e di pse.

Por, në fund të fundit, ç’i duhen librat Noizyt? Mos është më i lumtur apo më i pasur një erudit se një djalë me pantallona në gjysmë të vitheve, me një cigare bar që shijon kënaqësinë e të diturit asgjë?

Dikur, prindërit na mësonin se sa më shumë të dije, aq më nder i bëje vetes: do jetoje shumë më mirë. Por në rastin e Gelsit, nuk ka nevojë. Për mbarëvajtjen e jetës së tij ndikon politika. Përsa kohë që udhëheqësit e tërheqin pas vetes nëpër koncerte, i bëjnë dhuratë edhe stadiumet që të ‘shkëlqejë’ me recitimet pa pikë vlere, Noizy dhe të ngjashmit e tij nuk kanë nevojë të lexojnë. Madje, edhe analfabetë po të jenë, prapë do jenë të suksesshëm. Rëndësi ka të mos ndalojë freskun ndaj politikës e politikanëve dhe të shfrytëzojë sa më shumë injorancën që ka pushtuar vendin.

P.S. Kjo ironi e theksuar quhet sarkazëm Rigels…se duhet të kesh lexuar ta kuptosh! /Pamfleti

noizy politika librat

Lini një Përgjigje