Dokumente të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara (DOJ) tregojnë se Jeffrey Epstein kishte marrë një ftesë për premierën e filmit World War Z në vitin 2013, një prodhim ku protagonist ishte aktori Brad Pitt.
Sipas dokumenteve, ftesa ishte për shfaqjen premierë në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në New York, e ndjekur nga një pritje private në restorantin 21 Club. Në ftesë përmendeshin emrat e Brad Pitt dhe të ish-drejtorit ekzekutiv të Paramount Pictures, Brad Gray, ndërsa theksohej se ajo ishte e patransferueshme.
Dosjet nuk sqarojnë se kush ishte përgjegjës për hartimin e listës së të ftuarve dhe nuk ka asnjë provë që Brad Pitt të ketë pasur dijeni apo rol të drejtpërdrejtë në dërgimin e ftesës. Po ashtu, nuk ekzistojnë foto apo prova që konfirmojnë praninë e Epstein në event. Megjithatë, dokumentet përfshijnë një email të dërguar nga vetë Epstein pas premierës, ku ai shkruante: “Faleminderit! Premiera ishte argëtuese!!!”.
Dokumentet nuk tregojnë nëse Epstein ka pasur ndonjë kontakt me Pitt gjatë eventit. Pas shfaqjes, aktori u pa duke bashkëbiseduar me figura të njohura të Hollivudit, përfshirë Jimmy Fallon, Bruce Willis, Kevin Bacon dhe të tjerë.
Dosje të tjera të përfshira në të njëjtin publikim sugjerojnë se Epstein merrte informacione dhe përditësime mbi jetën personale të Brad Pitt. Sipas materialeve, bashkëpunëtori i tij i afërt Richard Kahn i dërgonte email-e me thashetheme dhe artikuj mediatikë mbi marrëdhëniet dhe jetën shoqërore të aktorit.
Një prej email-eve i referohej një artikulli të Page Six mbi marrëdhënien profesionale të Pitt me arkitekten dhe profesoreshën e MIT, Neri Oxman, ndërsa mesazhe të tjera përdornin gjuhë thashethemnaje për jetën sentimentale të aktorit pas ndarjes nga Angelina Jolie.
Dokumentet janë pjesë e një arkive prej rreth tre milionë faqesh, të bërë publike pas një shqyrtimi të gjerë nga autoritetet amerikane. Ato hedhin dritë edhe mbi lidhjet e Epstein me MIT, përfshirë donacione financiare që më vonë shkaktuan reagime dhe polemika të forta publike.
Lini një Përgjigje