Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare Brad Arnold, këngëtari kryesor i grupit të njohur amerikan rock 3 Doors Down, i nominuar për çmimin Grammy. Artisti u nda nga jeta disa muaj pasi kishte bërë publike diagnozën e rëndë me kancer të veshkave në fazë të katërt.
Lajmi u konfirmua të shtunën nga vetë grupi, i cili në një deklaratë zyrtare bëri me dije se Arnold u shua në gjumë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt, pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me sëmundjen.
Grupi 3 Doors Down u krijua në vitin 1995 në Misisipi dhe njohu sukses të madh në vitin 1999 me këngën “Kryptonite”, e cila i solli edhe nominimin e parë për Grammy. Kënga ishte shkruar nga Arnold kur ai ishte vetëm 15 vjeç, gjatë një ore mësimi në shkollë. Albumi debutues “The Better Life” rezultoi një sukses global, duke shitur mbi 6 milionë kopje.
Në vitin 2003, banda mori një tjetër nominim për Grammy me këngën “When I’m Gone” dhe u shndërrua në një nga emrat më të dashur të rock-ut alternativ në fillim të viteve 2000. Gjatë karrierës së saj, 3 Doors Down publikoi gjithsej gjashtë albume, ndërsa i fundit, “Us and the Night”, u lançua në vitin 2016.
Lini një Përgjigje