TAGS-AT E JAVËS

Kosova12 Tetor 2025, 10:40

Zgjedhjet lokale, Presidentja Osmani apel qytetarëve: Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia!

Shkruar nga Pamfleti

Osmani tha se Serbia ka tentuar vazhdimisht të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë dhe theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët.

Zgjedhjet lokale, Presidentja Osmani apel qytetarëve: Sa më e madhe
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani votoi pak pas orës 10:00 në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ajo e cilësoi këtë ditë si të rëndësishme për demokracinë e vendit.

“Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi, aq më e fortë është demokracia jonë. Pres që ky të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Osmani, duke ftuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.

Osmani, po ashtu theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët, duke përsëritur se Serbia ka tentuar vazhdimisht të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar kutisë së votimit paraditen e së dielës.

Kurti pasi hodhi votën e tij te Fakulteti Juridik, i ftoi të gjithë qytetarët të votojnë për zgjedhjet lokale.

“Votojmë për të vendosur për katër vitet në komunat e Kosovës. Ne vendosim për shkollat, çerdhet, ujin…”, tha fillimisht kryeministri Albin Kurti.

Ftoj të gjithë qytetarët pa dallim që ta shfrytëzojnë të drejtën për t’u bërë hisedarë në zgjidhjen e problemeve dhe plotësimin e nevojave që kanë”, shtoi ai.

Sot qytetarët e 38 komunave në Kosovë do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se janë 948 qendra votimi në gjithë Kosovën që u hapën në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00.

KQZ ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të qetë.

Po ashtu, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 do të hapen gjithsej 38 Qendra Votimi për votim me kusht, të shpërndara në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas njoftimit të KQZ-së, në këto qendra do të funksionojnë gjithsej 54 vendvotime, të dedikuara për votuesit që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt.

Votimi me kusht në zgjedhjet lokale është i lejuar vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi, dhe realizohet në qendrën e veçantë për votim me kusht të caktuar nga KQZ.

zgjedhjet lokale voton presidentja osmani

Lini një Përgjigje