
Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar sot Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.
Ndërkaq, Arbër Sejdiu dënohet me 15 vjet burgim.
Sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të akuzuarin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike.
Nga goditjet, Marigona ka pësuar lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shok hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit.
Ata kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Krivaqa dhe Sejdiu janë akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Që të dy akuzohen, po ashtu, se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.
Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.
Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.
Ndërsa, avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.
Lini një Përgjigje