Xhaxhai i 19-vjeçarit Ardit Zymeri, i cili u vra mbrëmjen e djeshme në Vushtrri, Nysret Zymeri, ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion të qartë për ngjarjen.
Ai ka theksuar se familja nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje me ndonjë person dhe nuk e di se si ka ndodhur kjo tragjedi.
Zymeri u shpreh se ata u njoftuan mbi ngjarjen mbrëmë, por ende nuk kanë njohuri për autorin e krimit. Ai tha gjithashtu se nuk kanë pasur asnjë konflikt dhe se kjo ngjarje ka ardhur si një befasi për ta.
19-vjeçari u qëllua për vdekje mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:38, në Vushtrri. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar për vrasjen Bleron Dibrani, ndërsa ai ka ka pranuar fajësinë gjatë marrjes në pyetje.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa arma e përdorur në krim është sekuestruar. Prokuroria dhe policia po mbledhin prova të tjera për hetimin e rastit. Pas hetimeve, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
Lini një Përgjigje