
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sikurse kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sanksione nga partnerët ndërkombëtarë ndaj Serbisë, e cila po tregon se nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjen e arritur në Ohër.
Osmani deklaroi se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë presion mbi Serbinë që të respektojë obligimet për të cilat kanë rëndë dakord.
“I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që i ka ndërmarrë. E kuptoj që nënshkrimi si i tillë nuk është i domosdoshëm për ta bërë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. I gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë te Vuçiçi që për ato të cilat ai është dakorduar e që në esencë përbëjnë njohje “de facto” të Kosovës, sepse kur ia njeh dikujt sovranitetin e integritetin. Këto janë elementet kryesore të shtetësisë. Mungon vetëm një letër njohjeje që ende nuk e ka nënshkruar. Duhet të ketë penalizim të qartë për Serbinë”, tha Osmani.
Presidentja shton se Serbia akoma pa mbushur 24 orë nga akordi në Ohër tregoi që premtimet që i kanë dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike as juridike. Dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar se nuk do t’i zbatojë obligimet që dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi.
Kosova dhe Serbia më 18 mars janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i detyruar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.
Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.
Lini një Përgjigje