TAGS-AT E JAVËS

Kosova 1 Dhjetor 2024, 18:38

“Ushtria do të sillte qetësi në Veri”, Kurti ngre dyshime për përfshirje të Rusisë në sulmin terrorist në Zubin-Potok!

Shkruar nga Pamfleti

“Ushtria do të sillte qetësi në Veri”, Kurti ngre

Kryeministri prezantoi një fotografi të disa emblemave ushtarake, që siç tha ai, janë emblema ruse të sekuestruara nga Policia e Kosovës në veri. Ai u shpreh se emblemat iu përkasin njësive të specializuara që kryejnë operacione të veçanta ushtarake.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për mediat ka akuzuar Serbinë se nëpërmjet sulmit në Varagë të Zubin-Potokut ka tentuar që t’i lërë pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje e pa komunikim qytetarët e Kosovës. Sipas tij sulme të tilla si në kanalin ujor të Ibër Lepencit janë të ngjashme me sulmet ruse në Ukrainë.

Kurti para mediave ka thënë të dielën se Kosova është kthyer në shënjestër të sulmeve hibride prej kohësh, por sulmin e fundit e cilësoi “sulm kinetik”, duke thënë se u tentua që qytetarët të viheshin nën kushtet jetike.

Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të ngelej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës ruse ndaj Ukrainës, me ç’rast këto sulme ishin të orkestruara kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike, të minimumit të ekzistimit dhe të dëmtohet jeta e siguria e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, kemi sulme në objektin e Komunës së Zveçanit, e në të njëjtën kohë edhe në Ukrainë”, tha Kurti.

Kryeministri prezantoi një fotografi të disa emblemave ushtarake, që siç tha ai, janë emblema ruse e që janë kapur nga Policia e Kosovës në veri. Ai u shpreh se emblemat iu përkasin njësive të specializuara që kryejnë operacione të veçanta ushtarake.

Vendi ynë është cak i formave të ndryshme hibride. Në shtator 2023 sulmin në Banjskë që për qëllim kishte aneksimin e veriut...Krahas dezinformimit, tash luftës hibride i është shtuar edhe sulmi kinetik...Në secilin rast ne kemi dalë fitimtarë, pasi shteti është edhe i fortë e edhe i shpejtë. Për dy ditë, institucionet publike kanë dëshmuar se janë sërish në krye të detyrës, për çka u jemi falënderues”, shtoi Kurti.

Kurti ka theksoi se liria e kryeterroristit Milan Radoiçiç në Serbi është mbrojtje e hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim që të tjerët të kryejnë sulme terroriste në Kosovë.

Qëndrimi i lirë e aktiv i Radoiçiçit në Serbi është e vërteta e Serbisë që po përpiqet që fqinjët e saj që s’janë anëtarë të BE-së t’i vë në kushte të tensionit dhe rrezikut. Liria e Radoiçiçit përbën mbrojtje të hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim për të tjerët që kryejnë sulme terroriste në Kosovë. Pas sulmit në Banjskë, ka pasur sulme të tjera. Këto ngjarje po dëshmojnë se Serbia s’ka ndërmarrë asgjë të parandalojë terrorizmin”, u shpreh kreu i Qeverisë së Kosovës.

Sipas Kurtit, mosdorëzimi i Radoiçiçit nga autoritetet serbe në Kosovë është problemi kryesor.

“Problemi kryesor është që Radoiçiçi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe në Kosovë të përballet me drejtësi. Ka edhe urdhërarrest edhe aktakuzë”, tha ai, duke shtuar se gjasat për plane të tjera për sulme në Kosovë do të ishin më të vogla sikur Radoiçiçi t’iu dorëzohej autoriteteve kosovare.

Kurti është shprehur më së miri do të ishte sikur të mund të dërgohej ushtria e Kosovës në veri.

Në veri jemi të hendikepuar pasi ushtria jonë, që nga zotimi i Thaçit në 2013, s'mund të shkojë në veri e atje s'është situata si në pjesë të tjera të vendit tonë...Nga nervozizmi, Serbia i rrit aksionet e tilla, meqë nuk e posedojnë më veriun e Kosovës. Dëshirojnë të thonë se ‘s’do t’iu lëmë rehat. Kjo tregon se ata kanë humbur, por nuk duan që ne të fitojmë, të jetojmë... Ne po e respektojmë letrën e pararendësit tim, ndonëse unë as s'e kam mirëpritur e as s'më pëlqen, por e respektojmë, Në veri kemi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. A do të ishte më mirë, më sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, por ne respektojmë atë zotim të pararendësit”, tha ndër të tjera Kurti. 

Lini një Përgjigje