
Ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, ka thënë për mediat serbe se situata rreth manastirit të Banjskës është ende dramatike dhe se nuk ka shenja se do të qetësohet shpejt.
Duke folur për Nova.rs, ai ka theksuar një pjesë e agresorëve kanë hyrë në manastir, ndërsa policia u ka bërë thirrje me megafon që të dorëzohen.
Siç thuhet më tej, bazuar në burime nga policia, sulmuesit janë të organizuar mirë dhe dyshohet se janë të armatosur me armë të rënda, bomba dhe mortaja. Sipas informacioneve të tij, ende nuk dihet kush janë sulmuesit.
“Situata është dramatike. Kam folur disa herë me Sveçlën, ministrin e Policisë. Së fundmi ka dalë lajmi se në atë përleshje kanë mbetur të vrarë disa persona. Mëngjesin e sotëm policia u ka dërguar kërkesë për dorëzim, por nuk ka asnjë komunikim apo kontakt mes dy palëve. Policia thërret me megafon sulmuesit, por nga ana tjetër nuk ka përgjigje. Situata rreth manastirit në fshatin Banjskë është ende dramatike, nuk ka shenja se do të qetësohet së shpejti. Tani për tani është qetësi”, citohet të ketë thënë “Rashiç” për Nova.rs.
Ai thekson se KFOR-i është duke punuar në ndërmjetësim për momentin, për të qetësuar disi situatën.
“Ajo diplomaci duhet t’i bindë ose t’i detyrojë njerëzit të dorëzohen, sepse askush nuk është i interesuar për gjakderdhje të mëtejshme apo përkeqësim të situatës”, ka theksuar Rashiç.
Ai ka theksuar për Nova se sulmuesit ndodhen brenda dhe rreth vetë manastirit.
“Një numër sulmuesish janë brenda vetë manastirit, ndërsa disa rreth vetë manastirit. Tani për tani askush nuk e di se kush janë sulmuesit, përveç se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të organizuar. Nga një burim nga MPB-ja kam dëgjuar se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja. Ky armatim kërkon shumë logjistikë. Kjo është ajo që ne dimë tani për tani. Gjëja më e rëndësishme, siç më thonë (Albin) Kurti dhe Sveçla, është se ne nuk jemi për përshkallëzimin e mëtejshëm, por për një zgjidhje paqësore të situatës”, thotë Rashiç.
Lini një Përgjigje