TAGS-AT E JAVËS

Kosova28 Janar 2026, 19:11

Të akuzuar për manipulim votash, arrestohen 15 kryekomisionerë në Malishevë

Shkruar nga Pamfleti

Të akuzuar për manipulim votash, arrestohen 15 kryekomisionerë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka arrestuar 15 kryekomisionerë në Malishevë për 48 orë, nën akuzë për manipulim votash në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Prokuroria ka paraqitur edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.

Kryeprokurori i Gjakovës, Enis Gashi, ka bërë të ditur se për intervistim janë ftuar 18 kryekomisionerë dhe 50 komisionerë.

“Deri tani, janë intervistuar 15 kryekomisionerë e 43 komisionerë. 15 kryekomisionerët janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë. Për 43 komisionerët jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale”, tha ai në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Gashi u shpreh gjithashtu se të gjithë dyshohen për veprën penale “falsifikim i rezultatit të votimit”.

10 të tjerë, sipas kryeprokurorit, nuk kanë mundur të intervistohen gjatë ditës së sotme për shkak se kanë qenë jashtë vendit ose për arsye të tjera nuk kanë mundur të jenë të pranishëm.

“Ndaj tyre do të vazhdohet me procedura”, shtoi ai.

Gashi theksoi se në Malishevë ka pasur 75 vendvotime dhe pas rinumërimit ka dalë se 9,057 vota janë shtuar, ndërsa 7,996 vota janë hequr.

 

 

 

Lini një Përgjigje